Të fundit

Dëshmitari i drejtohet me gisht të akuzuarit për krime lufte, i thotë se ia kishte rrahur djalin

Dëshmitari Gani Krasniqi në seancën e sotme gjatë dhënies së dëshmisë së tij, i është drejtuar me gisht të akuzuarit Dushko Arsic, duke i thënë se e ka rrahur të dëmtuarin A.K, i cili ishte djali i tij.

““Artani më tha më kanë rrah, aty ka qenë Dushko Arsici e ka rreh masë shumti qiky (duke u drejtuar me gisht nga i akuzuari)”, tha dëshmitari Krasniqi.

Një deklarim të tillë i njëjti e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Arsic në gjykimin ku i njëjti po ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas dëshmitarit Krasniqi, pasi që kishin ardhur familjarët që ta kërkojnë personin e vrarë e kishin kuptuar se ai ishte i ndjeri B.Sh dhe se personi që e kishte rrahur të dëmtuarin A.K kishte qenë Dushko Arsic nga Matiçani.

Dëshmitari Krasniqi tha se më së pari kufomën e të ndjerit B.Sh e kishte gjetur atë ditë që i njëjti ishte vrarë.

Ndër të tjera i njëjti tha se sa kishte qenë në oborr të një kushëri të tij kur kishte dëgjuar krismën e automatikut, duke shtuar se e kishte ditur që ishte vrarë i ndjeri B.Sh pasi që më herët i kishte kaluar nga oborri i tyre dhe i kishte thënë të mos shkonte nga ajo anë por ai se kishte dëgjuar.

Dëshmitari Krasniqi shtoi se i ndjeri B.Sh kishte pasur xhaketë ngjyrë të kuqe, dhe 3 plumba në trup.

Ndërsa në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismaili i njëjti tha se ai ishte interesuar që të akuzuarin Arsic ta sjelltë të gjykohej në gjykatë, duke shtuar se ai drejtësinë ia kishte lënë gjykatës.

“Unë jom interesue me ja pru punën me pru te ju se drejtësinë e dan vetëm gjyqi, une nuk kom kqyr mu hakmarr as vet se lufta ka qenë luftë”, tha dëshmitari Krasniqi.

Paraprakisht, i pyetur nga prokurori special Atdhe Dema, dëshmitari Krasniqi, i njëjti tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë më herët, duke shtuar se i dëmtuari A.K i kishin thënë që e kishin rrahur me tytë pushke dhe kishte qenë i goditur në shpinë dhe fytyrës i gjakosur.

Ndërsa i njëjti në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Arsic, avokatit Nebojsha Vllajic, tha se kur kishte ardhur i dëmtuari A.K në shtëpi kishte qenë kohë e paradites dhe se kishte qenë i gjakosur fytyrës, hunëve, veshëve, ballit, dhe se kishte pasur gjakderdhje pa ndërpre hunëve.

Dëshmitarit Krasniqi i kishte mbetur në gjysmë dëshmia në seancën e datës 6 qershor 2023 për shkak se iu kishte keqësuar gjendja shëndetësore.

Në këtë seancë u konsiderua e lexuar deklarata e dëshmitares Emiljana Arsic pasi që e njëjta ishte e paarritshme për gjykatën, ndërsa trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorit Dema që deklarata e të njëjtës të lexohet.

Një propozim të tillë nuk e kundërshtoi as avokati Vllajic por i njëjti shtoi se kjo deklaratë për ta si mbrojtje ishte jorelevante pasi që dëshmitarja Arsic kishte hyrë në jetën e të akuzuarit 15 vite pas luftës.

Tutje gjykatësi Ismaili pyeti palët nëse kanë propozime për dëgjim të dëshmitarëve apo administrim të provave materiale, ku avokati Vllajic tha se kishte disa prova materiale siç ishin librezat ushtarake dhe e punës e të akuzuarit Arsic.

Gjykatësi Ismaili në fund tha që t’i listojnë provat të cilat dëshirojnë t’i propozojnë për administrim në gjykatë për shkak të ekonomizimit të kohës.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 24 nëntor 2023 siç ishte e paraparë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsic në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsicin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bën përgjegjës Arsicin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.

Arsic akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Me këtë, Arsic akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

Video nga Paradoks

Projekt super i veçantë: Prezantohet Marigona Sun, lagjja më luksoze në Kosovë…

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci