Të fundit

Pas reagimeve të shumta nga Serbia, rikthehet ku ishte pllaka që përkujton ushtarët serbë në Dragodan

Dioqeza e Rashkës – Prizrenit, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, e kanë kthyer të shtunën, në vendin ku ka qenë më parë, një pllakë përkujtimore të ushtarëve të rënë serbë në luftërat e viteve 1912-1918.

Ky monument, i vendosur në varrezat ortodokse në Prishtinë, është zhvendosur në një anë të varrit në mes të muajit nëntor, me iniciativën e Ambasadës franceze dhe asaj gjermane.

Ky veprim pati nxitur reagim të ashpër të komunitetit serb në Kosovë.

Në vendin e pllakës përkujtimore për ushtarët serbë, në nëntor ishte vendosur një pllakë përkujtimore në kujtim të ushtarëve francezë që humbën jetën gjatë shërbimit në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Tani, ajo është zhvendosur anash, ndërsa pllaka që nderon ushtarët serbë është vendosur në qendër të varrit.

Vite më parë, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë kanë festuar në atë vend Ditën e Armëpushimit.

Dita e Armëpushimit shënohet në të gjithë botën më 11 nëntor për të përkujtuar nënshkrimin e armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Kjo ditë shënohet në të gjithë Evropën dhe vendet e Komonuelthit e festojnë atë si Ditën e Përkujtimit, amerikanët si Ditën e Veteranëve ose Ditën e Përkujtimit.

Zyrtarë të dy ambasadave në Kosovë patën shpjeguar se pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë serbë është zhvendosur për shkak se “në vitet e fundit, dhe veçanërisht në vitin 2022, kjo ceremoni e përbashkët franko-gjermane u njollos nga polemika në media të caktuara në Kosovë në lidhje me praninë e një stele [pllakë përkujtimore] për nder të ushtarëve serbë që vdiqën mes viteve 1912 dhe 1918”.

Dioqeza e Rashkës-Prizrenit pati reaguar ndaj heqjes së pllakës përkujtimore me pretendimet se askush nuk është konsultuar me komunitetin serb që i mbikëqyr varrezat, dhe as me Kishën Ortodokse Serbe, e cila “përkujdeset shpirtërisht për varrezat ortodokse në Kosovë”.

Përveç Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, kanë reaguar edhe partitë politike serbe, aktivistë politikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucione të Serbisë.

Më pas, më 15 nëntor, Ambasada franceze në Kosovë ka njoftuar se do të shqyrtojë “mundësitë teknike” që të gjitha monumentet në varrezat në Prishtinë të kthehen në vendin e tyre, “dhe se kjo do të përfshijë një pllakë të re përkujtimore në kujtim të ushtarëve francezë që humbën jetën”, gjatë shërbimit në kuadër të KFOR-it./REL/

Video nga Paradoks

Ekskluzive: I kërkuar nga Interpoli për vr’asjen që tronditi Norvegjinë - misteri i njeriut që sillej në Ferizaj me katër identitete të rreme

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci