“Shumë njerëz besojnë se janë “të mirë kur lexojnë njerëzit”.
Është shumë e kollajtë të pretendosh se i kupton motivimet e një personi tjetër, pa u ndalur kurrë të kontrollosh nëse ke të drejtë. Paragjykimi i konfirmimit, për fat të keq, është një shpjegim më i mundshëm – d.m.th., ju i mbani mend të gjitha ato herë që vlerësimet tuaja ishin të sakta dhe i injoroni ose i nënvlerësoni rastet kur keni gabuar. Ose thjesht nuk pyesni kurrë nëse keni të drejtë në radhë të parë. Sa herë keni dëgjuar: “Mendova se filani ishte i tillë, por sapo e njoha, kuptova se e kisha krejtësisht gabim”?
“Fakti është se njerëzit shpesh janë gjykues shumë më pak të saktë të karakterit sesa u pëlqen të besojnë. Po cilat janë pengesat për t’u bërë i shkëlqyer në leximin e njerëzve?”
“Së pari, gjëja kryesore që duhet mbajtur mend është efekti i kontekstit. Ndoshta keni parë një artikull, nga ato listat në internet me titullin “5 shenja që tregojnë se dikush po gënjen” dhe vazhduat ta lexoni, për të parë nëse mund të dalloni ndonjë në jetën reale. Problemi është: a është personi duke parë lart dhe majtas për shkak se po thotë një gënjeshtër, apo thjesht diçka lart në çati i ka tërhequr vëmendjen?”
Në të njëjtën mënyrë, një person që bën një “gafë frojdiane” interesante në bisedë mund t’ju tregojë një sekret për veten e tij – ose thjesht mund të jetë i privuar nga gjumi dhe thjersht ka bërë një gabim. Konteksti ka rëndësi.
Në të njëjtën mënyrë, ne nuk mund të marrim një deklaratë të vetme, shprehje të fytyrës, sjellje ose moment sikur po na thotë diçka përfundimtare për personin. A nuk keni bërë sot diçka që, nëse analizohet e veçuar, do të çonte në disa përfundime krejtësisht të pakuptimta për karakterin tuaj? Analiza mund të ndodhë vetëm me të dhëna – jo me një të dhënë të vetme – dhe mund të ndodhë vetëm kur jemi në gjendje të shohim tendenca më të gjera.
Këto tendenca më të gjera duhet gjithashtu të vendosen në kontekstin kulturor nga vjen personi që po analizoni. Disa shenja janë universale, ndërsa të tjerat mund të ndryshojnë. Për shembull, të folurit me duart në xhepa, shihet me përçmim në shumicën e kulturave. Kontakti me sy, nga ana tjetër, mund të jetë një çështje e ndërlikuar. Në Amerikë përgjithësisht inkurajohet kontakti me sy sepse konsiderohet si shenjë ndershmërie dhe inteligjence. Megjithatë, në vende si Japonia, kontakti me sy nuk nxitet, sepse mendohet të jetë mungesë respekti. Po kështu, një grup sinjalesh mund të nënkuptojë një gjë në kulturën tuaj, dhe diçka krejtësisht të ndryshme në një tjetër. Mund të jetë paksa e vështirë të mbani mend këto modele të ndryshme interpretimi, por ndërsa praktikoni, do të fillojë t’ju vijë natyrshëm.
Nëse një person bën të njëjtën gjë të pazakontë pesë herë në një bisedë të shkurtër, atëherë kjo është diçka që duhet t’i kushtohet vëmendje. Nëse dikush thjesht pohon: “Unë e njoh atë grua. Ajo është një introverte. E pashë një herë teksa lexonte një libër”, ky tipi nuk mund të quhet mjeshtër në zbulimin e psikikës njerëzore! Pra, ia vlen të kujtojmë një parim tjetër të rëndësishëm: në analizën tonë, ne kërkojmë modele.
Një mënyrë tjetër që njerëzit e zgjuar mund të arrijnë në përfundime jo aq të zgjuara mbi të tjerët është nëse ata nuk arrijnë të krijojnë një bazë. Djali përballë jush mund të ketë shumë kontakt me sy, të buzëqeshë shpesh, t’ju bëjë komplimenta, të tundë kokën, madje edhe t’ju prekë herë pas here krahun. Mund të arrini në përfundimin se ky djalë ju pëlqen vërtet, derisa kuptoni se ai kështu është me çdo person që takon. Ai në fakt nuk tregon interes mbi normalen e vet, kështu që të gjitha vëzhgimet tuaja nuk ju çojnë askund.
Në fund, ka diçka për t’u marrë parasysh kur jeni duke studiuar qenie të tjera njerëzore: vetja juaj. Ju mund të vendosni se dikush po përpiqet t’ju mashtrojë, por nuk e merrni plotësisht parasysh natyrën tuaj paranojake dhe të tej mase të kujdesshme, dhe faktin që ju kanë gënjyer kohët e fundit dhe nuk e keni tejkaluar ende këtë gjë.
Kjo pikë e fundit mund të jetë ironikisht, çelësi i vërtetë për të zbërthyer njerëzit e tjerë – të sigurohemi që e kuptojmë minimalisht veten tonë, para se të kthejmë vështrimin tonë analitik jashtë saj. Nëse nuk jeni të vetëdijshëm se si mund të projektoni nevojat, frikën, supozimet dhe paragjykimet tuaja tek të tjerët, vëzhgimet dhe përfundimet tuaja për ta nuk do të jenë shumë të sakta. Në fakt, ju mund të keni zbuluar thjesht një mënyrë rrethore për të mësuar mbi veten tuaj dhe bagazhin kognitiv dhe emocional që po ofroni.