Polonia ka dhënë miratimin për të ndërtuar 24 reaktorë të vegjël bërthamorë në gjashtë lokacione, thanë sot drejtuesit e kompanisë që do të ndërtojë centralet.
Qeveria ka thënë se synon të përshpejtojë largimin e qymyrit dhe të ndërtojë infrastrukturë për energjinë e rinovueshme dhe bërthamore për të trajtuar sfidat e ndryshimeve klimatike dhe për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
Rafineria “Orlen” dhe prodhuesi kimik “Synthos” kanë krijuar një sipërmarrje të përbashkët “Orlen Synthos Green Energy” (OSGE), e cila do të instalojë reaktorët e parë të vegjël bërthamorë deri në vitin 2030.
“Qeveria polake ka vendosur në parim dhe ka miratuar gjashtë vende për 24 reaktorë të teknologjisë së fundit GE Hitachi BWRX-300 në Poloni,” tha kryeshefi ekzekutiv i OSGE-s, Rafal Kasprow në samitin Net Zero Nuclear, i cili po mbahet së paralel me samitin e klimës COP28 në Dubai.
“Është në fakt një fillim i ri, një epokë e re, për Poloninë”, shtoi Kasprow.
Ministria polake e Klimës njoftoi se reaktorët do të ndërtohen në Wloclawek, Stawy Monowskie, Stalowa Wola, Ostroleka, Nowa Huta dhe Dabrowa Gornicza.