Të fundit

Për anëtarësim në KiE, Kosovës i kërkohen veprime për Asociacionin dhe pronat e Manastirit të Deçanit

Zyrtarë të Qeverisë i kanë përmbyllur takimet me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pa e thënë asnjë fjalë rreth raportit të parë që ky institucion e ka nxjerrë për Kosovën, që prej deponimit të aplikimit më 12 maj të vitit të kaluar. Veç ndërhyrjeve në gjyqësor, në raport Kosovës i përmenden vendimet e gjykatave, të cilat prej vjetësh nuk kanë gjetur zbatim. Njohës të zhvillimeve kanë thënë se pa zbatimin e aktgjykimit që ia njeh Manastirit të Deçanit të drejtën mbi 27 hektarë dhe pa ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë vështirë i arritshëm anëtarësimi në këtë organizatë.

Pa zbatimin e shpejtë të dy prej rekomandimeve kryesore të ekspertëve të Këshillit të Evropës (KiE), Kosova do ta ketë të vështirë anëtarësimin në këtë organizatë.

Në raportin e parë të ekspertëve të KiE-së mes rekomandimeve është përmendur zbatimi i aktgjykimit që ia njeh Manastirit të Deçanit të drejtën mbi 27 hektarë, si dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i institutit “Epik”, duke iu referuar raportit ka theksuar se Kosovës i kërkohet përparim në 11 pika, dy prej të cilave i ka kualifikuar si thelbësore.

“Kosova e gjen sot veten në një situatë ku duhet të bëjë progres në dy drejtim paralele. Pra, në njërën anë të vazhdojë procedura e anëtarësimit në Këshillin e Evropës përmes Asamblesë parlamentare dhe përmes votimit në Komitet të ministrave. Paralelisht me këtë, Kosova duhet të bëjë progres në së paku dy rekomandime të cilat kanë dalë nga raporti i ekspertëve eminentë, që është ngritja e Asociacionit dhe zbatimi i vendimit të gjykatës kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit”, ka thënë ai.

Në javën kur është prezantuar raporti i ekspertëve të Këshillit të Evropës, Kosovën e ka vizituar edhe një delegacion nga Asambleja Parlamentare e këtij institucioni. Takime ky delegacion ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti dhe me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, porse asnjëri prej tyre nuk është deklaruar rreth raportit të ekspertëve që konstatoi ngecje në zbatimin e vendimeve të gjykatave. Nëpërmjet komunikatave për media, Kurti dhe Gërvalla kanë shprehur optimizëm për finalizim të shpejtë të procesit me anëtarësimin e Kosovës.

“Kryeministri Kurti theksoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është me rëndësi historike, andaj edhe Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt këtij qëllimi. Krahas përfitimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare gjithashtu do të rriste edhe standardin dhe performancën e sistemit vendor të drejtësisë nga i cili përsëri përfitojnë qytetarët”, është theksuar në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas komunikatës, kryeministri Kurti mes veprimeve ka përmendur edhe fondin prej tre milionë eurosh për komunitetet joshumicë për këtë vit, si dhe buxhetin prej dy milionë eurosh për rinovimin dhe ndërtimin e shtëpive të komuniteteve joshumicë në komuna, i cili si program pritet që të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm.

Vizitës fakt-mbledhëse të raportueseve nga dy komitetet përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Azadeh Rojhan dhe Béatrice Fresko-Rolfo, i ka paraprirë ajo e Dora Bakoyannisit, si raportuese kryesore për përgatitjen e opinionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Bokayannis ka qëndruar në Kosovë në fillim të muajit nëntor.

Sipas Ministrisë së Jashtme, pas votimit të opinionit të Bakoyannisit në njërën nga sesionet plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave do të vendosë se kur të ftojë Kosovën si anëtare me të drejta të plota në KeE.​

Pas deponimit të aplikimit më 12 maj të vitit të kaluar, liderët institucionalë në disa raste e kanë marrë punë të kryer anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Raporti i ekspertëve do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Në Raportin mbi përshtatjen e sistemit ligjor të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës theksohet se Kosova nuk i respekton vendimet e gjykatave dhe as marrëveshjet ndërkombëtare. Dokumenti është përpiluar nga ekspertët e këtij institucioni, të cilët qëndruan në Kosovë më 24 shtator, ditën kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit. Kjo e dhënë përmendet edhe në raportin e ekspertëve, duke e ndërlidhur me mungesën e zbatimit të marrëveshjes së vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Juristët e Këshillit të Evropës kanë evidentuar të mos kenë parë vullnet nga ana e qeverisë për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ekzekutivi është kritikuar edhe për përdorim të tepruar të forcës policore gjatë tensioneve në veri.

Sa i përket aktgjykimit që ia njeh Manastirit të Deçanit pronësinë mbi 27 hektarë të kësaj komune, sipas raportit, ai jo vetëm që nuk gjen zbatim që prej vitit 2016, “por kritikohet ashpër nga bartësit e funksioneve të larta politike”.

“Sa u përket gjasave që Kosova me sukses në afat të shkurtër të anëtarësohet në Këshillin e Evropës mund të them se gjasat janë të mëdha nëse Kosova dëgjon dhe zbaton me shpejtësi rekomandimet e Këshillit të Evropës, pra, dy rekomandimet kryesore sa i përket ngritjes së Asociacionit dhe vendimit të gjykatës kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Nga ana tjetër, nëse Kosova nuk i dëgjon këto këshilla, nuk bën progres në zbatimin e këtyre rekomandimeve, atëherë unë e shoh shumë të vështirë realizimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës”, ka potencuar Shasha.

Drejtori i institutit Epik ka listuar hapat e tjerë që pritet të ndërmerren në periudhën vijuese, në të cilat Kosova duhet të tregojë përkushtim.

“Pas raportit të të dy ekspertëve eminentë të Këshillit të Evropës, procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës ka para vetes edhe tre hapa të tjerë. Pra dy raportues të Këshillit të Evropës, raportues politikë të cilët janë emëruar nga ana e Këshillit të Evropës duhet të përgatisin një raport për seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Asambleja në hapin e dytë duhet të miratojë rekomandimin e raportuesve për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës me dy të tretat e votave dhe në hapin e tretë ky miratim i tyre duhet të kalojë edhe në Komitet të ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, përsëri me dy të tretat e votave”, ka theksuar Shasha.

Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, për pranimin e Kosovës është e domosdoshme mbështetja e dy të tretave të tyre. Pas dorëzimit të aplikacionit më 22 maj të 2022-tës, shpresat e Kosovës për pranim ishin shtuar pas përjashtimit të Rusisë që nisi agresionin mbi Ukrainën.

Në kuadër të Këshillit vepron Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së cilës mund t’i drejtohen qytetarët pasi t’i kenë shteruar mjetet juridike në nivel kombëtar.

Video nga Paradoks

Nga buron vullneti i Kurtit për ta ndëshku Ali Ahmetin dhe BDI-në? – Ja si përgjigjet deputeti Hasani

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci