Policia e Kosovës ka arrestuar sot të shumëkërkuarin për trafikim me narkotikë, Gëzim Çela. Ai mendohet si një nga personat më me ndikim në trafikun e narkotikëve jo vetëm brenda Shqipërisë. Çela, siç ka njoftuar policia është arrestuar në një fshat të Ferizajit.
Çela kishte qenë në kërkim ndërkombëtar, ndërsa policia ka bërë të ditur se në momentin e arrestimit Çela po shoqërohej nga dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkull nga Kosova.
Sipas dyshimeve, shtetasi kosovar ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë të dyshuarin Çela. Arrestimi i Çelës është bërë nga hetuesit e anti-drogës.
“Hetuesit policorë nga DHTN-ja kanë arritur që sot rreth orës 17:55, të lokalizojnë vend-ndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari G.Ç., (mashkull shtetas i Shqipërisë), në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova. Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së.”, njofton policia.
Policia e Kosovës ka konfiskuar në vendin e ngjarjes edhe një AK-47 me 15 fishekë.
“Për arrestimin janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda-Ferizaj është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë. Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu lidhur me këtë çështje është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë aktivitetet në drejtim të sigurimit të një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, arrestimin e personave të dyshuar dhe dërgimin e tyre para organeve të drejtësisë si dhe do të vazhdojë e të thellojë bashkëpunimin me policitë e shteteve mike, me theks të veçantë me Policinë e Shtetit.”, vazhdon komunikata. /Paparaci.com/