Pas 15 ndeshjeve të zhvilluara në Superligën e Kosovës, Ballkani ka pësuar humbjen e parë. Kampioni në fuqi u mposht nga Llapi në stadiumin “Zahir Pajaziti” me rezultat 5:3.
Llapi e nisi fuqishëm sfidën duke arritur ta zhbllokojë rezultatin në minutën e shtatë të takimit. Hamdi Namani shënoi golin e parë për llapjanët pas asistimit të bukur të Valmir Veliut.
Pas 10 minutave, Llapi dyfishoi rezultatin me anë të golit të Muhamed Hysenit, por Ballkani nuk u dorëzua dhe u rikthye në lojë.
Nazmi Gripshi arriti ta zvogëlonte epërsinë e Llapit, duke u treguar i saktë nga penalltia në minutën e 26-të.
Kampion në fuqi arriti edhe ta barazonte rezultatin në minutën e 40-të me golin e Albin Berishës, por e shpejtë ishte kundërpërgjigja e Llapit.
Hamdi Namani shënoi golin e tij të dytë dhe golin e tretë për Llapin në këtë sfidën pak para përfundimit të pjesës së parë.
Llapi shkoi në pushim mes pjesëve me epërsi prej një goli, ndërsa arriti të shënonte edhe dy gola tjerë në pjesën e dytë.
Muhamed Hyseni shënoi në minutën e 72-të për 4:2, ndërsa golin e fundit për Llapin e shënoi Januzi në minutën e 89-të, i cili realizoi për 5:2.
Ballkani arriti të shënonte edhe një gol tjetër me Albin Berishën, por nuk kishte kohë për një përmbysje.
Për Ballkanin kjo ishte humbja e parë e sezonit, megjithatë kampioni në fuqi mbetet në pozitën e parë në tabelë me 38 pikë dhe me dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Me këtë fitore, Llapi ka arritur kuotën e 31 pikëve duke u renditur në pozitën e dytë në tabelën e Superligës së Kosovës.