Ditën e sotme ka vdekur ish-anëtari i Këshillit të Evropës dhe anëtari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OSBE-së, Dick Marty, i cili ishte 78 vjeçar.
Marty ishte i njohur si prokuror publik dhe “gjuetar mafioz”, ndërsa vdekjen e tij e ka konfirmuar partia e tij.
Kush ishte Dick Marty?
Në vitin 2010, Marty si raportues special për Këshillin e Evropër ka publikuar një raport mbi krimet e supozuara të luftës nga milicia e Kosovës në luftën për pavarësi kundër Serbisë, ki pretendohej edhe për trafikim të organeve nga udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë viteve 1998-1999.
Ndërsa, 10 vite më vonë, në vitin 2020, gjetjet e tij janë përdorur nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë për të paditur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe për këtë arsye, ai për rreth 18 muaj ka jetuar nën mbrojtjen e rreptë të policisë.
Ai para një viti kishte njoftuar se po kërcënohej nga shërbimi sekret serb, që kanë provuar ta vrasin dhe për këtë gjë t’i lënë fajin Kosovës. Ai kishte deklaruar se kërcënimet për vrasjen ndaj tij kishin për qëllim fajësimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçin.
Në emisionin “Mise au Point”, në Radiotelevizionin e Zvicrës tek kanali “RTS 1”, Marty kishte thënë se ishte habitur se nuk ishin shqiptarët ata që planifikuan vrasjen e tij, meqë supozohej se ata do kishin një arsye, por në fakt ishin serbët që ia donin vdekjen.
“Kërcënimi ka ardhur nga qarqet e caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, gjegjësisht, nga vrasësit profesionist, që donin të më likuidonin, dhe pastaj për këtë të fajësohen kosovarët”, kishte deklaruar Dick Marty.
Ai kishte shtuar se ekzistojnë veteranë që janë të specializuar për vrasje me porosi dhe se vrasja e dikujt në këtë mënyrë nuk është veçanërisht e shtrenjtë.
Lidhur me këtë ishin deklaruar edhe nga Zyra Federale e Policisë, Fedpol.
“Mund të konfirmojmë se që nga dhjetori i vitit 2020 është supozuar për një situatë serioze kërcënimi kundër z.Dick Marty. Përveç aspekteve të së drejtës penale, çështja gjithashtu përfshin në veçanti garancinë e sigurisë personale dhe gjithashtu ka komponentë politikë për shkak të kontekstit të supozuar transnacional. Për këtë arsye, autoritete të ndryshme federale dhe kantonale janë të përfshira në këtë rast në fushat e tyre përkatëse të përgjegjësisë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, Fedpol dhe autoritetet e tjera partnere kanë marrë masa gjithëpërfshirëse në këtë kontekst”, u tha në përgjigjen e Fedpol.
Televizioni shtetëror zviceran në frëngjisht kishte raportuar se ka pasur qasje në një dokument ku thuhet se vrasja e Marty-t iu besua qytetarëve serbë, të cilët për një kohë të gjatë kryejnë detyra të tilla për shërbimet e inteligjencës serbe, të cilët janë trajnuar si profesionistë absolut.
I zgjedhur në Senatin Zviceran në vitin 1995, ai ishte anëtar i Partisë Radikale të qendrës së djathtë. Ai dha dorëheqjen në vitin 2011. Ndër nismat e tij ishin instalimi i një prokurori federal të pavarur dhe dekriminalizimi i abortit.
Ai u zgjodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1999 dhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut nga viti 2005 deri në 2008. Ai doli në pension në vitin 2011.
Në emër të komitetit, ai hetoi burgjet sekrete të CIA-s në Evropë, duke publikuar një raport në vitin 2006 që thoshte se 14 vende kishin bashkëpunuar me SHBA-në në një “rrjetën e merimangës” të abuzimeve të të drejtave të njeriut. Marty tha se vende të tjera, përfshirë Zvicrën, ishin përfshirë në mënyrë aktive ose pasive në ndalimin ose transferimin e personave të panjohur.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në gusht në Këshillin e Evropës kishte kërkuar anulimin e raportit të Dick Martyt për trafikim të organeve në Shqipëri e Kosovë.
Marty u lind në kantonin jugor italishtfolës të Ticinos, ku shërbeu si zëvendësprokuror publik, më pas prokuror publik nga viti 1975-1989. Ai ishte anëtar i qeverisë kantonale të Ticinos nga viti 1989 deri në 1995.