Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe aktivisti ndër më të zellshmit të Lëvizjes Vetëvendosje të mërkurën, në një intervistë për Klan Kosova, duket se përfundimisht hoqi dorë nga diskursi partiak e personal për bashkimin kombëtar, më konkretisht për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe këtë, me një lehtësi të paparë gjuhësore e argumentuese.
Në intervistën e së mërkurës, Konjufca është pyetur për deklarimin e ministrit të Kurtit, Liburn Aliu i cili e deklaroi Kosovën si “shtet të përkohshëm” ku doli kundër kësaj deklarate pas disa tentimeve për të amnistuar kolegun e tij nga Lëvizja Vetëvendosje dhe vazhdoi më tutje të flasë për bashkimin me Shqipërinë, shkruan Paparaci.com.
Konjufca, me një lehtësi të çuditshme, me shumë pak fjalë, “e çmontoi” kauzën shumëvjeçare të subjektit politik të cilit i takon për bashkim kombëtar duke thënë se “është paradoksale me i zhdukë dy shtete e me u bë një”.
“Nuk e di si mund të ndodhë. Është shumë vështirë dhe pak edhe paradoksale ne shekullin 21 me i zhduk dy shtete e me u bë një. Me gjithë këtë rregullim institucional e me gjithë këto çështje”, deklaroi Konjufca.
Madje, Konjufca në një tentim të tij për arsyetimin e ndryshimit të qëndrimit, iu referua edhe tezës së Ukshin Hotit, gjë që meriton vëmendje. Ai citon Ukshin Hotin teksa kishte thënë se “hapi më i madh i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën do të jetë kur Kosova të bëhet Republikë”.
“Mendoj që teza e Ukshin Hotit ka qenë plotësisht reale dhe shumë aktuale është sot, kur thotë që ‘hapi më i madh i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën do të jetë kur Kosova të bëhet republikë’, kur ta ketë të drejtën e vetëvendosjes, dhe e drejta e vetëvendosjes për Kosovën e çliron kombin shqiptar, e çliron popullin e shtypur të shqiptarëve, dhe kjo pastaj futet në marrëdhënie të lira e të drejtpërdrejta me Republikën e Shqipërisë”, shtoi ai.
Interpretimi i Filozofisë Politike të Ukshin Hotit nga Konjufca
Konjufca, nuk mund të aludohet se e ka harruar interpretimin e tij të dikurshëm mbi Filozofinë Politike të Ukshin Hotit. Ai, pikërisht lidhur me çështjen e bashkimit kombëtar dhe të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë kishte folur në një përmbledhje të tij mbi tezat themelore të filozofisë së Ukshin Hotit.
Përderisa, në intervistën e së mërkurës, ai i referohet Ukshin Hotit teksa artikulon mbi pavarësinë e Kosovës si hapi më i madh i Bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, dikur interpretimi i tij kishte përdorur lente të tjera.
Në një interpretim të tijin mbi tezat e filozofisë politike të Ukshin Hotit, Konjufca kishte cituar Ukshin Hotin në fjalët: “Çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë çështjen shqiptare në nevojën për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar. Dhe çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë problemin shqiptar në nevojën për barazimin e shqiptarëve me popujt tjerë në çdo aspekt, por mbi të gjitha në aspektin e zhvillimit.”
Tutje, ai kishte cituar edhe një pasazh tjetër të Ukshin Hotit, teksa shprehej: “Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që heret e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie.”
“Me çështjen shqiptare zgjidhja e drejtë është e lehtë konceptualisht: shqiptarëve vetëm duhet t’u kthehet ajo që u është marrë. “Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që kufizohet pothuajse nga të gjitha anët me vetveten” – prandaj duke u bashkuar ajo bëhet vetvetja dhe nuk i hyn kujt në hak.”, thoshte Konjufca atë kohë.
Në interpretimin e tezës së 13-të të filozofisë së Ukshin Hotit, Konjufca kishte folur për Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Kombëtar. Aty, ai kishte artikuluar mbi domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar përpara ecjes drejt Bashkimit Evropian dhe kishte krahasuar rëndësinë e bashkimi të shqiptarëve, njëjtë si atë të gjermanëve.
“Bashkimi kombëtar duhet të jetë hapi i parë drejt BE-së. Pa shqiptarët e bashkuar nuk mund të ketë Evropë të bashkuar. Bashkimi kombëtar shqiptar i ndihmon bashkimit evropian. Kjo tezë e Ukshin Hotit është aktuale sidomos sot kurpolitika zyrtare shqiptare në Shqipëri e Kosovë e kanë përmbysur këtë tezë. Teza e tyre është: BE-ja si kompensim për mosbashkimin kombëtar. Do të bashkohemi në BE – thonë ata. Kurse Ukshin Hoti thotë, BE-ja bashkohet në bashkimin tonë. Bashkimi i shqiptarëve është i rëndësishëm po sikur ai i gjermanëve. Nëse nuk hyjnë më BE si shtet me dinjitet, do të mund të hyjmë vetëm si refugjatë.”, thuhej atëherë.
Ndërsa për tezën e 14-të të “shtetit-nukleus”, thuhej se: “Të gjitha pjesët e kombit të ndarë duhet të synojnë drejt bashkimit. Por pjesa kryesore e cila duhet t’i prijë politikisht këtij procesi është ajo Republika e Shqipërisë dhe Tirana, ajo që të biseda me Ismail Kadarenë, Ukshin Hoti e quan “shteti-nukleus”. Po them politikisht, sepse dihet që ushtarakisht Ukshin Hoti ishte përfshirjes së drejtpërdrejtë të Shqipërisë në luftën e Kosovës. Një përfshirje e tillë do ta hapte një luftë totale ballkanike në të cilën domosdo do të përfshiheshin edhe Greqia e Bullgaria, dhe prej të cilës shqiptarët do të dilnin vetëm të humbur. Mospërfshirja e drejtpërdrejtë ushtarake e Shqipërisë ishte çështje taktike. Po ashtu, Kosova është jo që duhet t’i bashkohet Shqipërisë dhe jo e kundërta: “përkrahja eventuale e shqiptarëve në Jugosllavi që ta bashkojnë Shqipërinë, dhe jo të bashkohen me Shqipërinë, objektivisht do të thotë bashkim via-Beograd.”
Thjeshtësia e argumentimit
Tutje, Konjufca i pyetur nga gazetari “A kemi edhe sot marrëdhënie të lira me republikën e Shqipërisë?”, Konjufca u përgjigj me një thjeshtësi e lehtësi të çuditshme. Madje, ai edhe mori një situatë figurative për ta përshkruar idealin e bashkimit kombëtar të figurave historike si Ismail Qemaili e Hasan Prishtina.
“A mundesh me marrë edhe me imagjinu në këtë studio ne të kishim pasë gjallë Ismail Qemailin dhe Hasan Prishtinën. Dhe iu themi ejani së bashku dhe po shkojna në Tiranë dhe e takojmë Edi Ramën se bashku, Begajn dhe themi në të gjithë së bashku që jemi këtu, të themi udhëheqësia e Kosovës dhe udhëheqësia e Shqipërisë mund të bëjmë çka të duam në bashkëpunimin tonë së bashku, qysh do t’iu kishte dukur Ismail Qemailit dhe Hasan Prishtinës, unë mendoj se do t’iu kishte dukur e mahnitshme, kishin thënë kjo është realizimi i bashkimit kombëtar dhe tash mos t’i zmadhojmë pa nevojë ndasitë tona, se nuk ka ndasi, populli jonë, kombi jonë është i bashkuar. Për të ardhmen se si e zgjidhin gjeneratat e ardhshme, unë nuk mundem me garantu, por çka është inercioni është integrimi i shqiptarëve”. tha Konjufca.
Megjithëkëtë, të gjithëve mund t’iu kujtohet kauza e Lëvizjes Vetëvendosje për Bashkimin Kombëtar dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Por, kjo duket se ka ndryshuar pasi ky subjekt politik ka ardhur në pushtet dhe kjo po del nga goja e akterëve kryesorë të partisë e sot, akterët kryesorë të shtetit të Kosovës. /Paparaci.com