Të fundit

Shtyhet sërish gjykimi ndaj Xhavit Halitit për sulmin ndaj Arben Gashit, kjo është arsyeja

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Haliti, avokati Kujtim Kërveshi ka deklaruar se ende nuk është pajisur me shkresa të lëndës, sërish është shtyrë seanca në rastin ku Haliti po akuzohet për sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi, që kishte ndodhur në maj të 2018-ës.

“Mbrojtja që nga data 15 gusht 2019 ka parashtruar kërkesën në prokurori për t’u pajisur me shkresat e lëndës deri më sot as nuk është ftu as nuk është pajisë, andaj nuk ka kushte”, ka thënë avokati Kërveshi.

Kurse, prokurori i shtetit Besnik Jakupi ka thënë se dje kishte tentuar ta telefonojë avokatin nga numri zyrtar i zyrës por që i njëjtë nuk është lajmëruar.

“Arsyeja pse e kam thirr ka qenë pikërisht për ta pajisur me shkresa të lëndës dhe kopjen e shkresave të lëndës e kam tani me vete dhe të njëjtën mund t’ia dorëzoj edhe tani”, ka thënë prokurori Jakupi.

Më pas, avokati Kërveshi tha se është e vërtetë që dje ka pranuar dy telefonata e që të njëjtin numër ka telefonuar sot 3 herë duke arritur të kontaktojë me bashkëpunëtoren e prokurorit e cila tha se nuk ishte në njohuri për arsyen e kontaktit nga prokurori.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të dëmtuarit Arben Gashi, avokati Ahmet Tahiri ka deklaruar se as ata nuk janë pajisur me shkresa të lëndës duke konsideruar se që po tentohet qëllimisht të zvarritet kjo procedurë, duke pasur parasysh që në vitin e ardhshëm kjo aktakuzë parashkruhet.

Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë.

Edhe seanca e kaluar ishte shtyrë në mungesë të të akuzuarit Xhavit Haliti.

Edhe më 9 qershor 2022, kishte dështuar shqyrtimi gjyqësor shkaku se Xhavit Haliti ishte në udhëtim jashtë vendit. Edhe seanca e datës 8 korrik 2022, kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit Haliti.

Në tetor të 2019-ës, Gjykata Themelore në Prishtinë sipas urdhrit ndëshkimor, i kishte dënuar me nga 1 mijë e 250 euro gjobë deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti (për “Sulm”) dhe ish-deputetin e AAK-së, Gani Dreshaj (për “Kanosje”), të deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Për Dreshajn, gjyqtari Berisha tha se e ka pranuar urdhrin dhe ka bërë kërkesë për kthim në gjendjen e mëparshme për ta zënë afatin për kundërshtim, por bazuar në shkresat e lëndës, nuk ka vendim për atë kërkesë nga gjyqtarja Hoti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në maj të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhavit Haliti më 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë me dashje ka sulmuar deputetin- tani të dëmtuarin Arben Gashi, duke e shtyrë me krahë dhe bërryl në gjoks.

Me këtë, Haliti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Ndërsa, deputeti Gani Dreshaj thuhet se po të njëjtën ditë, me dashje, e kishte kanosur deputetin Gashi me fjalët: “Kom me ta prish fytyrën”./betimipërdrejtësi

Video nga Paradoks

Intervistë ekskluzive: Valdet Zekaj rrëfen në detaje ngjarjen e Kumanovës

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci