Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit mes Tiranës dhe Shkupit është jetik për të ardhmen e rajonit dhe shfrytëzimin e sa më shumë fondeve nga plani i zhvillimit i BE-së.
Kështu deklaroi ministri për Evropë dhe Politikë të Jashtme i Shqipërisë Igli Hasani gjatë një vizite sot në Shkup.
Ai tha se të dyja vendet kanë treguar përkushtim në rrugën drejt BE-së dhe kanë arritur rezultate të mira edhe pse janë përballur me ngërçe dhe pengesa.
“Performanca e Maqedonisë së Veriut në OSBE dhe e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe më herët në OSBE, janë treguesi më i pakundërshtueshëm i pjekurisë që ka arritur politika e jashtme e vendeve tona. Një politikë e jashtme e cila tashmë duhet vënë më shumë se kurrë dispozicion të agjendës tonë të përbashkët për një rajon me paqe, siguri e stabilitet, me më shumë integrim dhe bashkëpunim rajonal dhe më shumë përafrim drejt BE-së”, tha ai.
Ministri Hasani theksoi se Shqipëria do të vijojë të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut sidomos në një vit zgjedhor, ku në pranverë do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
“Ne urojmë që ky proces të ecë mbarë, por mbi të gjitha urojmë që ky proces dhe rezultati i tij të mos sjellë asnjë ndryshim në përkushtimin ndaj perspektivës së përbashkët evropiane”, deklaroi ai. /Alsat.mk