Të fundit

Peticionet në veri – “përmirësim i gabimit” apo vullnet i qytetarëve

Thirrje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës. Thirrje për t’i bojkotuar zgjedhjet lokale në veri të vendit. Dhe, tani, në krye të turmave për t’i nënshkruar peticionet për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Kështu duket shkurtimisht rruga, në të cilën Lista Serbe i ka çuar pjesëtarët e komunitetit serb në veri nga nëntori i vitit 2022 e këndej.

Me nismën e kësaj partie atëkohë, serbët e veriut u larguan nga administrata lokale, organet gjyqësore dhe policia e Kosovës. Me fjalët “mjaft më”, shefi i atëhershëm i operacioneve policore për rajonin e veriut, Aleksandar Filipoviq, hoqi edhe uniformën.

Shkak për këtë u bë vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e Serbisë në veri me ato të Kosovës.

Më shumë se një vit më vonë dhe pas një sërë krizash të shkaktuara nga këto lëvizje, të gjitha targat u ndërruan dhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – i udhëzuan qytetarët serbë në veri që t’i nisin peticionet dhe të kthehen në institucione.

Disa qytetarë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë më 17 janar, thanë se vendimi për t’i bojkotuar zgjedhjet në prill të vitit 2023, megjithatë, ishte i gabuar.

Për shkak të këtij bojkoti, pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – e morën në fund të majit kryetarët shqiptarë.

Popullata lokale nuk i pranoi ata dhe bashkësia ndërkombëtare kërkoi zgjedhje të reja. Prishtina zyrtare u pajtua dhe nxori Udhëzimin Administrativ, në bazë të të cilit mund të zëvendësohen kryetarët aktualë.

Vullneti i lirë – një nga kushtet për zëvendësimin e kryetarëve

Një nga hapat për zëvendësimin e kryetarëve në komunat e veriut, është inicimi i një peticioni, i cili duhet të nënshkruhet nga së paku 20 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në një komunë.

Sipas disa informacioneve që siguroi REL-i, punonjësit e institucioneve të Serbisë në Kosovë morën një mesazh para nisjes së peticionit, që u kërkonte t’i përgjigjen procesit. Në krye të këtyre institucioneve janë kryesisht njerëz nga Lista Serbe.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, njëherësh drejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriu, ishte në krye të kolonës së punëtorëve shëndetësorë që shkuan për të nënshkruar peticionin më 17 janar.

Në Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e kryetarëve thuhet se “mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet në bazë të vullnetit të lirë të qytetarëve”.

Sipas këtij dokumenti, “ndalohet ushtrimi i çdo presioni apo ndikimi që imponon, kushtëzon apo detyron qytetarët që të nënshkruajnë [peticionin] kundër vullnetit të tyre, apo nënshkrimi në emër të tyre”.

Zyrtarë të Listës Serbe e nënshkruan peticionin

Peticionin për shkarkimin e kryetarëve e nënshkruan edhe zyrtarë të Listës Serbe.

Në mesin e qytetarëve të mbledhur ishin kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, dhe anëtarët e tjerë: Igor Simiq, Millan Radojeviq, Dragisha Milloviq e Zoran Todiq.

I pranishëm ishte edhe Goran Rakiq, ish-kryetar i Listës Serbe, i cili ishte në listën e kandidatëve të Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që u mbajtën në dhjetor.

Lista Serbe njoftoi në tetor të vitit të kaluar se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, pa paraqitur ndonjë kusht sikurse më parë.

Thirrjes për zgjedhje të reja i parapriu një sulm në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator, 2023. Atë ditë, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Cilët janë hapat e mëtejshëm?

Që peticioni të jetë i suksesshëm, duhet të mblidhen së paku 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

Kjo do të thotë se në Mitrovicë të Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit, sepse në listën zgjedhore janë të regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në Leposaviq të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se së paku 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në ditët në vazhdim, mbledhja e nënshkrimeve pritet të organizohet edhe në Zveçan, ku peticionin duhet ta nënshkruajnë 1.411 veta, dhe në Zubin Potok ku duhet të mblidhen 1.347 nënshkrime.

Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë në rregull dhe i verifikon ato, atëherë organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Në fund, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30-45 ditësh për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme./REL

Video nga Paradoks

"Po m'thojnë mos kno se po knon keq": Ramush Haradinaj ia jep këngës live - e fton Mirandën në duet

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci