Qeveria e Kosovës është në proces të ndryshimit të bazës ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Mbështetur në Koncept-dokumentin e miratuar më 27 dhjetor 2023 nga ekzekutivi, organizatat joqeveritare fetare, etnike dhe kulturore paraqesin rrezik shumë të lartë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept-dokumentin përmes të cilit trajtohen parandalimi i pastrimit të parave dhe luftimi i financimit të terrorizmit. Sa u përket rreziqeve për financimin e terrorizmit në sektorin e organizatave jofitimprurëse (OJF) ka një vlerësim përfundimtar në nivelin regjional dhe një është iniciuar edhe në nivel vendor.
“OJF-të fetare/etnike/kulturore dhe financimi i OJF-ve të huaja nga juridiksione me rrezik të lartë ose burime të paverifikueshme përfaqësojnë zonat kryesore të rrezikut për rajonin, me analizën që jep besim të fortë se të dyja paraqesin një rrezik shumë të lartë. Më tej, është vërejtur se OJF-të humanitare, bamirëse dhe ndihmuese paraqesin një rrezik të dukshëm, por pak më pak të rëndësishëm për financimin e terrorizmit për rajonin. Ndërsa analiza jep siguri se ka një rrezik më të ulët të financimit të terrorizmit ku OJF-të në rajon financohen nga komunitetet e diasporës”, thuhet në koncept-dokument.
Tutje, aty thuhet se në nivelin vendor është duke u zhvilluar vlerësimi i rreziqeve të këtij sektori për financimin e terrorizmit dhe Njësia për Inteligjencë Financiare si bartëse e këtij procesi me vendimin e 14 shkurtit 2023, ka formuar Grupin Punues për vlerësimin e rrezikut sektorial të financimit të terrorizmit dhe veprave të ndërlidhura në sektorin e organizatave joqeveritare. Ky grup do të analizojë, të vlerësojë dhe të hartojë raportin mbi rreziqet në sektorin e OJF-ve.
Tri opsionet për luftim të terrorizmit
Koncept-dokumenti trajton tri opsione, me të cilat mund të procedohet në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit. Opsioni pa asnjë ndryshim, i cili parasheh ruajtjen e status quos; opsioni për përmirësimin e zbatimit dhe ekzekutimit të kornizës ligjore, i cili nuk parasheh ndryshime legjislative, mirëpo fokusohet në zbatimin e ligjeve, të cilat veçse ekzistojnë; dhe së fundi opsioni me ndryshime legjislative, i cili parasheh ndryshimin dhe plotësimin e kornizës ligjore në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit përmes ndryshimit të legjislacionit në fuqi.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si propozuese e këtij koncept-dokumenti ia ka rekomanduar Qeverisë opsionin e tretë, atë për ndryshime legjislative përmes-plotësim ndryshimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Sipas Ministrisë, kjo mundëson parandalimin më efektiv, ngritjen e pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare të luftimit të financimit të terrorizmit e përafrim me legjislacionin e BE-së, ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mundësinë për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
“Duke konsideruar dobitë dhe të metat që bart më vete secili opsion i shtjelluar, opsioni 3 për ndryshimet legjislative, sipas modelit (3.1) përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit aktual për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, vlerësohet më i përshtatshëm për të adresuar problematikat e identifikuara në këtë koncept-dokument, dhe si i tillë do të mundësonte në mënyrë më efektive parandalimin e pastrimit të parave, veprave të ndërlidhura penale dhe luftimin e financimit të terrorizmit, si dhe avancim e pozitës së Kosovës sa i përket pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane sa i përket kësaj fushe”, thuhet në dokument.
Përderisa korniza ligjore lidhur me konfiskimin dhe masat e përkohshme përputhet me shumicën e kritereve, sipas Koncept-dokumentit, ekziston një numër i madh i kritereve, të cilat nuk janë plotësuar, përfshirë kërkesën për të identifikuar dhe gjurmuar pasuritë dhe kërkesën që mundëson ndërmarrjen e hapave për të parandaluar ose anuluar veprimet që dëmtojnë ngrirjen e pasurive, konfiskimin ose rimarrjen e pronës që i nënshtrohet konfiskimit.
Po ashtu është e paqartë se deri në cilin nivel është e mundur që të konfiskohen asetet e ndërlidhura me financimin e terroristëve ose organizatave terroriste pa ndonjë lidhje specifike me një akt terrorist. Për më tepër, sipas dokumentit, ekziston një numër i procedurave në mospërputhje me njëra-tjetrën për masat e përkohshme, gjë që krijon konfuzion në zbatimin e tyre praktik. Kësisoj amendamentet ndaj legjislacionit relevant janë kërkuar të bëhen për t’i adresuar këto mangësi.
Potenciali për vepra terroriste në Kosovë
Kosova në disa raste është përmendur si vend me potencial për vepra që kanë të bëjnë me terrorizmin.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, katër persona u shpallën fajtorë për vepra penale që lidhen me këtë dukuri. E.S., M.B. dhe A.Gj. u gjetën fajtorë edhe për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I akuzuari N.S. u gjet fajtor për veprën “lehtësim dhe financim i terrorizmit”. Seanca për caktimin e dënimit është caktuar për 25 janar.
Aktakuza ndaj katër të akuzuarve ishte ngritur në dhjetor të vitit 2022, ku katër persona akuzoheshin se nga marsi i vitit 2021 deri në tetor të po atij viti kanë bërë përpjekje të krijojnë një strukturë organizative “për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë”.
Sipas aktakuzës, katër të pandehurit kanë kontaktuar me një person që ka një gradë të lartë në organizatën terroriste Shteti Islamik dhe janë angazhuar që të sigurojnë armatime të ndryshme.
Raporte të organizatave vendore, sikurse ai i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), konfirmojnë se në periudhën 2012 – 2016, qindra shtetas të Republikës së Kosovës u janë bashkuar grupeve terroriste dhe kauzave ekstremiste në Lindje të Mesme. Një pjesë e tyre, fillimisht u janë bashkangjitur organizatave me agjendë islamike, sikur grupeve terroriste “Al Fateh al Sham”, “Daesh” e të tjera që luftonin regjimin diktatorial në Siri në kuadër të zhvillimeve që lidhen me të ashtuquajturën “Pranverë arabe”.
“Megjithatë, derisa lufta në Siri degjeneroi, pjesa më e madhe e shtetasve të Kosovës përfunduan në radhët e të ashtuquajturit Shteti Islamik, organizatë terroriste e cila kishte për qëllim krijimin e të ashtuquajturit ‘Kalifat’ islamik dhe që për një kohë të caktuar kontrolloi pjesë të territoreve të Sirisë dhe Irakut”, shkruan në doracakun rreth kontekstit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë (QKSS), i publikuar në mars 2023.
Në studimet mbi ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë, theks i veçantë është vënë te ndikimi nga jashtë të rrymave islamike që nuk ishin të pranishme në Kosovë para luftës më 1998-1999.
“Në aspektin teorik, qëllimi i këtyre rrymave islamike ishte të sfidonin bashkëjetesën tradicionale mes shtetit dhe fesë dhe t’i vendosin shtetin sekular dhe ideologjinë fetare në konkurrencë me njëra-tjetrën në përpjekje për dominim. Në aspektin praktik, në Kosovë, këto rryma kryesisht kanë tentuar që të polarizojnë dhe të përçajnë komunitetin e besimtarëve myslimanë në Kosovë dhe e kanë propaganduar ekstremizmin e dhunshëm si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre politike”, shkruan në dokumentin e QKSS-së.
Në vitin 2015, Kosova ka miratuar edhe një ligj, i cili ua ndalon kosovarëve pjesëmarrjen në luftëra të huaja.