Me flamuj e thirrje provokuese, qindra qytetarë serbë të Kosovës kanë shënuar të premten Epifaninë në liqenin e Ujmanit.
Flamuri me hartën e Kosovës e ngjyra të Serbisë dhe mbishkrimin “S’ka dorëzim” u shfaq gjatë garës. Aty u dëgjuan edhe këngët nacionaliste si “Kosova është zemra e Serbisë”.
Epifania njihet si festë krishtere që përkujton pagëzimin e Jezu Krishtit. Gara tradicionale zgjat 33 metra not, që simbolizon numrin e viteve që jetoi Jezusi. Siç shkruan “Kossev”, sipas organizatorëve në garë morën pjesë rreth 200 persona.
Aty janë parë edhe flamuj rusë.
Në vendin e ngjarjes janë parë edhe forca policore. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aktiviteti ka qenë i paralajmëruar “ndërsa për thirrjet që janë bërë do të kontaktohet organizatori dhe pas kësaj në konsultim me prokurorin, vendoset si do të veprohet tutje”.