Të fundit

BE: Vendimi për përdorim vetëm të euros në Kosovë të trajtohet në kuadër të dialogut

Bashkimi Evropian tha të premten se është duke e analizuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që euroja të jetë monedha e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në vend, vendim që nxiti shqetësimin dhe reagimin e Beogradit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot në një konferencë shtypi se blloku u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin veprimet e pabashkërenduara që mund të cenojnë qëndrueshmërinë në terren.

“Jemi ende duke analizuar dhe duke kërkuar sqarime mbi arsyet, motivet dhe ndikimet e mundshme të këtij vendimi. Por në përgjithësi nga Kosova dhe Serbia presim që të shmangin veprimet e pa bashëkrenduara, të cilat nuk e ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, që madje mund te kenë ndikim negativ në qëndrueshmërinë në terren. I nxisim dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që këtë çështje ta trajtojnë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës nxiti shqetësimin e udhëheqësve të Serbisë të cilët thanë se qëllimi i tij është ndalimi i përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se kjo është një përpjekje për të shkatërruar dialogun.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se me rregulloren e re do të rritet transprenca e dërgimit të parave dhe do të zvogëlohet hapësira e madhe për siç tha keqpërdorim nё emër tё mbështetjes dhe ndihmave sociale, duke nënvizuar se ajo nuk ёshtё produkt i negociatave politike nё Bruksel dhe nuk ka se si tё ketё ndikim nё mbarёvajtjen e procesit tё normalizimit tё marrëdhënieve mes Kosovёs dhe Serbisë.

Sasha Sekuliç, nga Asociacioni i Ndërmarrësve në Graçanicë, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, vlerëson se ky vendim paraqet trysni shtesë për komunitetin serb në Kosovë.

“Qytetarët janë të hutuar se si do t’i marrin pagat e tyre, nëse duhet të udhëtojnë me kilometra për në qytetin më të afërt në Serbi për të marrë pagën. Tjetër shqetësim është se si pensionistët do t’i marrin pensionet e tyre. Ata janë më të cenuarit sepse deri tani i kanë marrë pensionet në shtëpi nëpërmjet postës. Megjithatë përfaqësuesit politik serb ende heshtin, ata duhet të dalin dhe t’i shpjegojnë popullit se çfarë po ndodhë”, tha ai.

Por njohësi i fushës së ekonomisë, Lekë Musa, e vlerëson vendimin plotësisht të drejtë.

“Duhet parë në aspektin ekonomik si një proces i cili sjell një lloj të stabilitetit afatgjatë të ekonomisë së vendit sepse jemi duke shkuar në drejtim të krijimit të një sistemi normal ekonomik ku funksionon gjithçka, ashtu siç funksionojnë edhe ekonomitë tjera në perëndim. Cilido investitor që e konsideron një vend për të investuar, do t’i dukej diçka jo shumë stabile që të ketë dy sisteme të pagesave dhe nuk përçon një mesazh pozitiv”, thotë ai.

Megjithatë zoti Musa thotë se zbatimi i këtij vendimi duhet të bëhet me shumë kujdes, për të shmangur informalitetin.

“Mos të lejohen hapësira që dinari të sillet në mënyrë jo ligjore apo ilegale sepse sic e dini ka shumë mundësi të pagesave të cilat mund të bëhen nëpërmjet një sistemi jobankar. Mund të bëhen pagesa me para në dorë dhe është shumë e vështirë që të ndalohet pastaj qarkullimi në biznese e në këtë formë ne mund të stimulojmë informalitetin në veri. Qëllimi është gjithmonë që edhe veriu por edhe zonat tjera ku jetojnë komuniteti serb të kyçet në sistemin formal të Kosovës dhe përveç të kryejnë transaksionet nëpërmjet sistemit bankar si në tërë vendin, gjithashtu të fillojnë të paguajnë tatime. Sepse sa më i madh që të jetë informaliteti aq më i madh do të jetë edhe evazioni fiskal”, thotë ai.

Zoti Musa këmbëngul se autoritetet e Kosovës duhet të bashkërendohen në tërësi me Bashkimin Evropian për të zbatuar rregulloren e re, meqë, thotë ai, një marrëveshje e drejtpërdrejtë me autoritetet serbe është vështirë e arritshme.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 janë përfshirë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të të cilit janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh – zbatimi i të cilave vazhdon të jetë një proces sfidues.

Video nga Paradoks

"Po m'thojnë mos kno se po knon keq": Ramush Haradinaj ia jep këngës live - e fton Mirandën në duet

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci