Të fundit

Parlamenti turk pritet të ratifikojë kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO

Pas një vonese mbi një vjeçare, parlamenti turk pritet të miratojë të martën anëtarësimin e Suedisë në NATO. Vendimi pason miratimin nga Komisioni i Parlamentit turk për Marrëdhëniet me Jashtë të kërkesës së Stokholmit për anëtarësim në aleancën perëndimore muajin e kaluar.

Në vitin 2022, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO. Ndonëse Finlanda përfundimisht u bë anëtare e NATO-s në prill të vitit 2023, Turqia nuk pranoi të ratifikonte kandidaturën e Suedisë, një vendim që zemëroi aleatët e saj perëndimorë.

Fillimisht, Turqia refuzoi të miratonte anëtarësimin e Suedisë me pretendimin se vendi nordik po mbronte anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Që atëherë, Suedia ka paraqitur një projekt-ligj kundër terrorizmit që e bën të paligjshëm anëtarësimin në një organizatë terroriste.

Suedia, Kanadaja, Finlanda dhe Holanda gjithashtu kanë zbutur politikat e eksportit të armëve për Turqinë. Megjithatë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka lidhur ratifikimin e ardhshëm me miratimin e vonuar të shitjes së avionëve luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara për Turqinë. Shtëpia e Bardhë mbështet shitjen e këtyre avionëve, por afati kohor për miratimin e këtij vendimi nga Kongresi nuk është i qartë.

Pavarësisht kësaj pengese, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan këtë muaj se Turqia ka të ngjarë të ratifikojë së shpejti kërkesën e Suedisë për anëtarësim, duke e lënë Hungarinë pengesë të vetme për hyrjen e Suedisë në NATO.

Pavarësisht nga miratimi i mundshëm i Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO, Hungaria ka vonuar marrjen e një vendimi mbi hyrjen e vendit nordik në aleancën perëndimore.

Hungaria thotë se Suedia ka patur një “qëndrim haptazi armiqësor” ndaj Budapestit prej vitesh dhe është e zemëruar për kritikat e Suedisë ndaj kryeministrit hungarez Viktor Orban mbi erozionin e perceptuar të shtetit ligjor. Kryeministri Orban i ka mohuar akuzat e qeverisë suedeze.

Shefi i personelit të zyrës së Kryeministrit Orban, Gergely Gulyas, vuri në dukje të enjten e kaluar mungesën e “hapave të ndërtimit të besimit” nga Stokholmi për të përmirësuar marrëdhëniet me Budapestin, që do të mund të ndihmonin në ratifikimin e kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO./VOA

Video nga Paradoks

"Prej jashti s'keni pa": Fisnik Ismaili flet për Shpend Ahmetin e Përparim Ramën - "Goditjet i kanë ardhë nga VV"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci