NATO ka dërguar anijet e saj të para nga Amerika e Veriut në Evropë për stërvitjet më të mëdha ushtarake në dekadat e fundit, raportojnë mediat gjermane.
Sipas Komandës Aleate për Evropë, anija sulmuese amfibe amerikane Gunston Hall u largua sot nga porti i saj në Norfolk, Virxhinia për të filluar udhëtimin e saj drejt Evropës.
Një fregatë kanadeze gjithashtu së shpejti do të lundrojë nga Halifax për në Evropë.
Rreth 90.000 ushtarë do të marrin pjesë në një stërvitje të madhe ushtarake të quajtur “Steadfast Defender”, i cili do të zgjasë deri në fund të majit. Komanda e Aleancës në qytetin belg Mons njoftoi se stërvitja e parë e madhe do të fillojë më 11 shkurt.
“Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të forcuar zonën euro-atlantike me transportin e trupave transatlantike nga Amerika e Veriut,” tha të mërkurën komandanti i Forcave Aleate për Evropë, Christopher Cavoli.
Skenari për stërvitjen ushtarake do të jetë një sulm rus në territorin aleat, i cili do të binte nën nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari të Aleancës konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarët.
Stërvitjet më të mëdha të NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë u zhvilluan në vitin 2018, kryesisht në Norvegji dhe morën pjesë rreth 51 mijë ushtarë. Manovrat e fundit të Aleancës më të mëdha se sa këto që priten këtë vit u organizuan përpara rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.