Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka konfirmuar për Buletinin Ekonomik se tashmë janë në fazën e diskutimeve përfundimtare me Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) rreth ndryshimit të Rregullores e cila aktualisht ua ndalon klientëve shkëputjen e parakohshme të kontratave me operatorët kabllorë.
“Siç ju kemi informuar edhe në komunikimet më parë, me qëllim të adresimit sa më të shpejtë të kësaj çështje, dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të përshtatshme për konsumatorët, ARKEP ka realizuar disa takime me përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Institucion ky përgjegjës për shërbimet audio-vizuele, për të rregulluar edhe më tej çështjen e kontratave të konsumatorëve me ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes. Prandaj aktualisht jemi në fazën e diskutimeve me KPM dhe në momentin kur ne do të finalizojmë draftin dhe pas procesit te miratimit të saj, ju dhe publiku i gjerë do të informohet me kohë”, thuhet në përgjigjet e ARKEP-it.
Sipas tyre, ARKEP-i nuk është institucioni kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformën e operatorëve, mirëpo siç thonë ata, pasi kontratat mes operatorëve kabllorë dhe klientëve mbështeten në Rregulloren e ARKEP-it, atëherë ata e kanë parë të arsyeshme të veprojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Në këtë drejtim, duke qenë të vetëdijshëm për faktet e referuara më lartë dhe marrë për bazë numrin e ankesave gjithnjë e në rritje të konsumatorëve, ARKEP e ka konsideruar të nevojshme që të adresohet edhe kjo çështje dhe vendosen dispozita të caktuara, të cilat përfshijnë të drejtën e konsumatorëve për ndërprerjen e kontratave të kombinuara për secilin element të saj, duke përfshirë kanalet televizive”, thuhej në disa përgjigje të mëhershme të ARKEP-it për Buletinin Ekonomik.
Ndërsa tashmë, ARKEP-i ka konfirmuar se kanë përgatitur Rregulloren e re për Kontratat, Transparencën, publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundor të shërbimeve të komunikimeve elektronike, e cila ka kaluar procedurën e konsultimit publik dhe pritet të miratohet së shpejti.
ARKEP thotë se përmes kësaj Rregulloreje kanë dhënë një propozim konkret edhe për kontratat e kombinuara dhe se janë në proces të koordinimit me KPM në aspekt të harmonizimit të akteve/rregulloreve të dy Autoriteteve, duke u mbështetur në kompetencat dhe përgjegjësitë përkatëse.
Por, në anën tjetër, ARKEP përmes një komunikate ditë më parë, ka sqaruar se ata janë kompetent vetëm për rregullimin e sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare.
Sipas tyre, Neni 4, paragrafi 1.32 i Ligjit për Komunikime Elektronike përcakton që baza e funksionimit të ARKEP-it është: “Shërbim i komunikimeve elektronike – shërbimi që zakonisht ofrohet me pagesë, i cili përftohet, tërësisht ose pjesërisht, nga përcjellja e sinjaleve përmes rrjeteve të komunikimeve elektronike, që përfshin shërbimet e telekomunikacioneve dhe shërbimet e transmetimit në rrjetet e përdorura për transmetime radio-televizive dhe në rrjetet e televizionit kabllor, por duke përjashtuar shërbimet, të cilat ofrojnë përmbajtje nëpërmjet rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, ose që ushtrojnë kontroll redaksional ndaj përmbajtjes së ofruar për transmetimin, duke përdorur rrjetet ose shërbimet e komunikimeve elektronike. Ai nuk përfshin shërbimet e shoqërisë së informacionit, të cilat nuk përbëhen, tërësisht ose pjesërisht, nga përcjellja e sinjaleve në rrjetet e komunikimeve elektronike.”
Ndërkohë, Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), neni 3 përcakton që: KPM-ja rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.
Prandaj, bazuar në dispozitat ligjore të lartcekura, ARKEP thekson se si institucion “nuk është organi kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformën e operatorëve”, por është vet KPM-ja.
“Në këtë drejtim edhe informatat e qarkulluara së fundmi lidhur me ndryshimin e kanaleve të operatorëve Kujtesa dhe ArtMotion, duhet të trajtohen në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive që kanë institucionet tona, si organe të pavarura kushtetuese. Për më tepër, ARKEP ju njofton se operatorët e lartëcekur, përveç që posedojnë autorizimin për ofrimin e rrjetit dhe shërbimeve publike të komunikimeve elektronike, të lëshuar nga ARKEP, të njëjtit posedojnë licencë për transmetim të lëshuar nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM) dhe si rrjedhojë edhe kontratat me konsumatorët për ofrimin e shërbimeve të Televizionit Digjital Kabllor udhëhiqen bazuar në Rregulloret e miratuara nga KPM (shih kushtet e veçanta të abonimit në shërbimet e ofruara nga Kujtesa dhe Artmotion)”, kanë thënë nga ARKEP.
Ndryshe, Komisioni Pavarur për Media, javën që shkoi, ka gjobitur me gjithsej 100 mijë euro katër operatorë kabllor në Kosovë pas qindra ankesave nga klientët e këtyre operatorëve për largim pa paralajmërim të kanaleve të DigitAlb-it nga transmetimi.
Sipas vendimit të marrë të premten (19.012024) nga Bordi i KPM-së, Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro.
Sipas KPM-së, disa nga shkeljet e këtyre kabllorëve përfshijnë:
– Mosnjoftimin e klientëve 30 ditë më herët për ndryshimin e përmbajtjes programore;
– Mos-ofrimin e listës së kanaleve bashkë me kontratë për klientët; dhe
– Mosnjoftimin e KPM-së për ndryshim në katalogun e programeve televizive.
Kurse për mundësinë e shkëputjes së kontratave, në rast të mospajtimit me kushtet, klientët ende nuk po e gëzojnë këtë të drejtë.
Rregullorja që e përmend vet ARKEP-i, aktualisht iu jep të drejtë operatorëve kabllor, në çështjen e pamundësisë së shkëputjes së kontratave me konsumatorët para kohe.
Sipas kësaj Rregulloreje, konsumatorët mund të shkëpusin kontratat me operatorët vetëm pas nëntë (9) muajve të parë prej datës kur është nënshkruar kontrata mes palëve, dhe kurrsesi para kësaj periudhe.
Pra, vetëm pas kalimit të nëntë muajve të parë të marrëveshjes, konsumatorët janë të lirë t’i shkëpusin kontratat pa u ndëshkuar nga operatorët, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkaq, në rastet kur kontrata kërkohet të shkëputet para 9 muajve të parë, atëherë në bazë të rregullores së ARKEP-it, operatorët kabllorë gëzojnë të drejtën e kërkimit të kompensimit të dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës.
Kjo e drejtë iu jepet atyre përmes nenit 5, pikës 5.7 të “Rregullores për Kontratat, Transparencën dhe Publikimin e Informatave dhe Masave Tjera Mbrojtëse Për Përdoruesit Fundorë për Ofrimin e Rrjeteve dhe Shërbimeve Publike të Komunikimeve Elektronike” të ARKEP-it, në të cilën thuhet se:
“5.7 -Ndërmarrësi mund të kërkoj kompensimin e dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës gjatë nëntë (9) muajve të parë, kur kontrata është e lidhur për 12 muaj, respektivisht 12 muajve të parë kur kontrata është e lidhur për 24 muaj. ”.”.
Mirëpo, edhe ky ndëshkim apo kompensim i dëmit nuk mundet kurrsesi të tejkalojë tarifën e parapagimit mujor për periudhën prej nëntë (9) muajve pas hyrjes në fuqi të kontratës, me përjashtim të rasteve kur përdoruesit fundor i ofrohen pajisje fundore, atëherë zbatohen dispozitat e nenit 9 të Rregullores.
Por, në anën tjetër, sipas kësaj rregulloreje, konsumatorët e secilit rrjet të shërbimeve kabllore kanë të drejtën e plotë t’i shkëpusin kontratat me ta pa u ndëshkuar, nëse operatori e paralajmëron paraprakisht klientin rreth modifikimit të kushteve të kontratës jo më vonë se 30 ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve.
Mirëpo, në rastin e fundit, operatorët ArtMotion dhe Kujtesa, nuk i kanë paralajmëruar fare klientët e tyre për modifikimet e bëra në platformat e tyre dhe as që kanë pyetur fare për pëlqimin apo jo të tyre. Gjithashtu, të njëjtit nuk po ua japin klientëve mundësinë e shkëputjes së kontratave.
E Rregullorja e ARKEP-it tregon qartë se në rast të mospajtimit me ndryshimin e kushteve nga operatori, parapaguesi, pra konsumatori, ka të drejtë që pa asnjë pasojë ta shkëpusë kontratën në fjalë, edhe pse është para kohe.
Gjithashtu edhe në rastet e rritjes së tarifave, konsumatorët kanë të drejtë të shkëpusin kontratën pa u ndëshkuar deri në ditën e fundit të muajit pas pranimit të faturës së parë si rezultat i këtyre ndryshimeve.
Në nenin 5, pikat 5.1, 5.2, 5.3 të kësaj rregulloreje të ARKEP-it përkufizohet kështu:
5.1. Parapaguesit kanë të drejtë që të shkëpusin kontratën e tyre pa u ndëshkuar pas paralajmërimit për modifikim të kushteve të kontratës të propozuara nga ndërmarrësit që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike.
5.2 Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën.
5.3 Në rast të rritjes së tarifës, parapaguesi ka të drejtë të shkëpus kontratën pa u ndëshkuar deri në ditën e fundit të muajit pas pranimit të faturës së parë si rezultat i këtyre ndryshimeve.” /Buletini Ekonomik