Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk do të duhet të përballet me dyshimet për shkelje administrative në procesin e lejes mjedisore për një projekt të ndërtimit të vilave në Batllavë.
Kompania ‘Kasolla 34’ Sh.P.K. është tërhequr nga padia ndaj Ministrisë, ka bërë të ditur njëri nga aksionarët e kompanisë, investitori Blendi Zymi.
Zymi, në një njoftim në rrjetet sociale, ka thënë të enjten se ortaku i tij biznesor, arkitekti dhe drejtori i kompanisë Visar Geci pa u konsultuar me të e ka tërhequr padinë ndaj MMPHI-së.
“Në mënyrë tinzare tu e shfrytëzu autorizimin e përfaqësuesit të kompanisë që ja kom jep në mirëbesim […] me datë 16 janar e paska tërheq padinë e Area34 pa u konsultu me mu hiç, po dmth tinëzisht”, ka thënë Zymi.
Dy investitorët e projektit të ndërtimit të vilave në afërsi të Liqenit të Batllavës në Podujevë, Blend Zymi dhe Visar Geci janë përballur për disa muaj me pengesa nga Komuna e Podujevës dhe Ministria e Mjedisit për marrjen e lejes mjedisore.
Fillimisht, projekti kishte marrë vlerësim pozitiv nga Ministria e Infrastrukturës. Leja mjedisore ishte dhënë.
Megjithatë, situata kishte ndryshuar pas një ndërhyrjeje të komunës, për të cilën kompania e kishte paditur drejtorin e Urbanizmit, Leutrim Krasniqi, për falsifikim informatash. Të dy investitorët e akuzonin direkt edhe kryetarin Shpejtim Bulliqi për ndërhyrje në proces.
Me rekomandimin e Komunës, MMPHI-ja e kishte revokuar sërish lejen mjedisore për ndërtimin e vilave.
Në shkurt të vitit të kaluar, në një deklarim për RTK-në, investitori Zymi deklaronte se për projektin ka marrë pëlqim nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por Komuna e Podujevës i ka kthyer përgjigje negative për pëlqimin e lejes mjedisore.
Pavarësisht pengesave, në shtator të vitit të kaluar, drejtori i ‘Kasolla 34’ njoftoi në rrjetet sociale se punimet në projektin e vilave kishin nisur.
“Përkundër tentimeve me na ndal’, area34 po realizohet…”, njoftonte Geci.
Investitorët kanë thënë se projekti përfshin kasolla të sistemit montazh të cilat do të ndërtohet bazuar në praktikat e mbrojtjes së mjedisit natyror.