Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar peticionet e nënshkruara nga qytetarët për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit.
KQZ-ja gjatë ditës ka pranuar edhe peticionin nga Mitrovica e Veriut, ndërsa verifikimi i nënshkrimeve është proces që do të zgjasë, ka thënë për Paparacin, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
“Mund t’ua konfirmoj se gjatë ditës së sotme kemi pranuar edhe kërkesat për verifikim të nënshkrimeve të mbledhura në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. Ndërkaq, siç kemi njoftuar, më parë kemi pranuar edhe kërkesën të njëjtë edhe nga Zubin Potoku”, ka thënë Elezi.
“KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejt vote në komunën përkatëse”, tha ai.
Ndryshe, kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe largoi përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, duke nxitur edhe largimin e serbëve të tjerë. /Paparaci.com