Një oficer policie në Durrës i ka dhënë fund jetës në zyrën e tij të punës, pasditen e kësaj të enjteje.
Nënkomisari Arben Pjeçi vrau veten me armën e shërbimit, ndërsa sipas informacioneve ai ka një karrierë 35-vjeçare me uniformat blu.
Policia e Durrësit ka reaguar pas ngjarjes, ku sipas tyre rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë.
Pjeçi ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me punë në komunitet për plagosje të lehtë pas një sherri me komshiun dy vjet më parë.
Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.
Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, thotë policia, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës.
“Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë si dhe është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Në lidhje me rrethanat dhe për sqarimin përfundimtar të motivit, do të kemi njoftim shterrues në përfundim të veprimeve hetimore paraprake”, njofton policia./tch