Të fundit

Mosmarrëveshje mbi vendimin e Kosovës për dinarin serb

Banka Qendrore e Kosovës miratoi një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve. Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar reagojnë pas këtij miratimi.

Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës sqarime shtesë për një vendim të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili nga Serbia po interpretohet si vendim që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan po ashtu Kosovës ta rishqyrtojë vendimin e saj që lejon vetëm euron për transaksione bankare në Kosovë. Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e miratoi  një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve, ndonëse, në rregullore nuk përmendet  specifikisht ndalimi i dinarit serb. Ky vendim hyn në fuqi më 1 Shkurt.

Ku përdoren dinarët serbë në Kosovë?

Në të gjitha vendbanimet në Kosovë ku shumicë janë serbët, qytetarët e përdorin dinarin serb për të kryer pagesa. Po ashtu serbët që punojnë për institucionet paralele serbe në Kosovë, pagat i marrin me dinarë. Me dinarë të Serbisë paguhen edhe pensionet, shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Po ashtu dinari i Serbisë përdoret edhe në objektet tregtare në zonat e banuara me serb. Valuta e Serbisë, dinari është sjellë në Kosovë përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila thuhet se ka një kasafortë në komunën më veriore të Kosovës në Leposaviq. Dinarët serbë në Kosovë qarkullojnë edhe përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë”, e cila ka filiale në vendbanimet e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Në rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, thuhet se “importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive vetëm e saj”.

“Kosova dhe Serbia të shmangin veprimet e pakoordinuara”

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë, që të shmangin veprimet e pakoordinuara, të cilat nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve, vendime këto që mund të ndikojnë negativisht në situatën në terren. “Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë. Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Sipas tij, “të dyja palët këtë çështje duhet ta adresojnë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve”, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha nga ana e tij, se ai “shpreson që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të mos ketë pasoja negative”. Ai tha se informacionet që i ka marrë nga Kosova për këtë çështje, i ka përcjellë në Bruksel.

Lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Sebinë u shpreh, se “rëndësia e veçantë e rregullores së BQK-së qëndron tek përcaktimi i valutës që lejohet të përdoret në të gjitha transaksionet bankare e jobankare në Kosovë, e që në këtë rast është euroja”. “Secili prej qytetarëve të Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me këtë, ka qenë në vazhdimësi në anën e shkelësit të ligjit”, shkroi Bislimi në Facebook. Sipas tij, “Rregullorja e sipёrpёrmendur nuk ёshtё produkt i negociatave politike nё Bruksel dhe si e tillё nuk ka se si tё ketё ndikim nё mbarёvajtjen e procesit tё normalizimit tё raporteve mes Republikёs sё Kosovёs dhe fqinjit tonё verior”, shkroi Bislimi.

Reagim i SHBA

Reagimet edhe nga pala amerikane janë shqetësuara. Ambasada amerikane në Prishtinë në një deklaratë thekson, se qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, dhe t’i adresojë shqetësimet e shprehura nga komuniteti ndërkombëtar. “Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ tek komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”, u tha në reagimin e ambasadës amerikane.

Serbia ka reaguar ashpër pas vendimit

Kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës u shprehën mënjeherë autoritetet e Serbisë. Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se “pret që të realizohet ajo çfarë ka deklaruar Lajçak, pra që të gjendet një zgjidhje që nuk do të përfundojë me pasoja negative”. Ndërkohë, partia më e madhe e serbëve të Kosovës Lista Serbe, tha se ky vendim siҫ shprehet “i regjimit të Albin Kurtit është vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorimin e armëve”. “Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i Kurtit dhe që nuk arriti t’i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani ka vendosur të ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu të kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”, thuhet në reagimin e Listës Serbe./DW

Video nga Paradoks

Nga buron vullneti i Kurtit për ta ndëshku Ali Ahmetin dhe BDI-në? – Ja si përgjigjet deputeti Hasani

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci