Qeveria gjermane i ka kërkuar Kosovës të pezullojë planet për të zbatuar euron si monedhën e saj të vetme, “mes shqetësimeve se masa mund të prodhojë tensione ndër-etnike”, raporton sot Bloomberg.
Media prestigjioze botërore, Bloomberg shkruan se qeveria gjermane ka apeluar fuqishëm që vendimi të shtyhet.
“Apelojmë fuqishëm për një shtyrje [të vendimit, v.j]”, citohet të ketë thënë një zëdhënëse e qeverisë gjermane për Bloomberg, transmeton Paparaci.
Bloomberg shkruan tutje se Kosova e ka përdorur monedhën e përbashkët evropiane për më shumë se dy dekada, megjithëse nuk është anëtare e euros.
Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Sipas nenit 11 të Kushtetutës, “në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme”.
Kjo rregullore parashihet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Edhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të mërkurën që Kushtetuta duhet të zbatohet në tërësi.
“Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë “cherry picking” [përzgjedhjen më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë “cherry picking”, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë ai.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.