Të fundit

Prokuroria kërkon dënim maksimal për Lekajn e të tjerët

Në ballafaqimin e fundit mes prokurorisë dhe mbrojtjes, në rastin gjyqësor të njohur si 53-milionëshi, Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit Pal Lekaj, Nebih Shatri, Eset Berisha e Besim Tahiri, të cilët i ngarkon për dëmtimin me dashje të buxhetit. Mbrojtja e të akuzuarve insistoi që për ta të nxirret aktgjykim lirues. E vendimi për rastin është caktuar të shqiptohet më 31 janar.

Dënim maksimal për të akuzuarit në rastin e njohur si 53-milionëshi ka kërkuar prokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, në seancën e fundit para epilogut. Në fjalën përfundimtare për rastin, ku të akuzuar janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, këshilltari i tij Eset Berisha, ish-sekretari i Ministrisë, Nebih Shatri e drejtori i Prokurimit, Besim Tahiri, prokurori Gashi ka thënë se ndaj tyre janë vërtetuar pretendimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Të pandehurit, veprimet e tyre inkriminuese, i kanë kryer me dashje duke realizuar qëllimet e tyre të planifikuara më parë. Andaj duke u bazuar në të gjitha provat e administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, konsiderojmë që janë vërtetuar në tërësi pretendimet e Prokurorisë Speciale të paraqitura si në aktakuzë dhe mbi këtë bazë kërkojmë nga Gjykata që për të pandehurit të shpallen fajtor për veprën penale që aktakuza i ngarkon, t’i dënoj me dënim maksimal”, ka thënë Gashi.

Por pala mbrojtëse kërkoi aktgjykim lirues për të akuzuarit, me arsyetimin se munguan provat e bazuara. Musa Damati, avokat i Pal Lekaj, ka thënë se autoriteti përfundimtar për realizmin e pagesës së 53-milionëve ka qenë Qeveria e Kosovës. Sipas tij, Lekaj nuk është nënshkrues i kontratës bazë për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. E Qeveria kur Lekaj ishte ministër, drejtohej nga partia e tij AAK, ndërsa që kryeministri ishte Ramush Haradinaj.

“Aktakuza për më tepër nuk ka arritur që të deshifrojë misterin e asaj se ku ka përfunduar, në llogari të kujt kanë përfunduar 53 milionë euro. Në llogarinë e klientit tim ato nuk kanë përfunduar… Nuk është arritur që të vërtetohet as edhe një element i vetëm përmes së cilës do të mund të indinjohej klienti im, për më tepër nuk është provuar me prova bindëse dhe të mjaftueshme se qëndrojnë elementet konstituive të veprës penale”, ka thënë Damati.

Florent Latifaj, avokat i Nebih Shatrit, ka thënë se klienti i tij nuk është përgjegjës për asnjë veprim të tij apo pikë të aktakuzës, duke shtuar se i njëjti ka vepruar konform ligjit. Ai ka thënë se në mënyrën se si ka vepruar Shatri, ka përfituar vendi dhe qytetarët e Kosovës, duke arritur të përfundohet autostrada.

“Unë edhe gjatë marrjes në pyetje e kam pyetur mos ke diçka kundër neve apo kundër këtij vendi se po na habitin Prokuroria se ti ke dashtë me i shkaktu dëm buxhetit të vendit tënd e mos me përfitu ti kurrgjë e me përfitu dikush tjetër. Ky formulim ndodh vetëm në ato raste kur ose nuk din çka je tu ba ose ke frikë me hetu personin ose institucionin i cili ka nënshkruar 53-milionëshin për me u pagu Bechtel-Enka”, ka thënë Latifaj.

Edhe mbrojtësi i Eset Berishës, avokati Afrim Salihu ka insistuar se klienti i tij duhet të dalë i pafajshëm bazuar në provat materiale të bashkëngjitura në aktin akuzues dhe provat shfajësuese të propozuara nga i mbrojturi i tij. Sipas Salihut, i akuzuari Berisha ka pasur vetëm cilësinë e këshilltarit politik pa gëzuar kështu të drejta ekzekutive.

“Këshilltarët nuk kanë kompetenca ekzekutive administrative e as të drejtë për ndërhyrje në shërbim civil por mund të përcjellin mesazhe tek eprorët e tyre. Kjo dispozitë rrjedh nga neni 23 i rregullores 02/2011 dhe këtë provë materiale e ka anashkaluar Prokuroria”, ka sqaruar ai.

E i akuzuari Nebih Shatri ka deklaruar se Prokuroria e anashkaloi edhe pretendimin për pasojat që do t’i shkaktonte dërgimi i rastit në Arbitrazh, po të mos nënshkruhej marrëveshja.

“Prokuroria në asnjë rast nuk e ka marrë parasysh se ça kish me u ba marrëveshja. Ajo nuk është hipotetike, është pjesë e kontratës. Sepse në kontratë është e paraparë arbitrazhi… Ne nuk kemi caktuar kosto. Kjo po del që unë sido që kisha vepru do të kisha përfundu me aktakuzë, sikurse mos ta kisha nënshkru do të kish qenë aktakuza se pse nuk e kam nëshkru, kurse sot jam pse e kam nënshkru”, ka thënë Shatri.

Lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë konzorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, Prokuroria Special ngriti aktakuzës më 4 shkurt të 2022-s. Ajo i ngarkon të pandehurit me keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit.

Vendimin për rastin, Gjykata Themelore në Prishtinë do ta shpallë më 31 janar./koha

Video nga Paradoks

"Po m'thojnë mos kno se po knon keq": Ramush Haradinaj ia jep këngës live - e fton Mirandën në duet

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci