Leonard Ademaj, vëllau i Liridonës e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, në një mënyrë të inskenuar, ka reaguar për intervistimin të të dyshuarve për rastin që u realizua gjatë kësaj jave.
Përmes një postimi në Facebook, Ademaj ka shkruar se këtë javë prokurorja e rastit, bashkë me hetuesit kanë intervistuar të dyshuarit, dhe siç parashihet me ligj familja e tyre kanë marrë pjesë përmes avokatit.
Ai është shprehur se për të respektuar sekretin hetimor dhe procedurën penale, nuk do të komentojnë përmbajtjen e deklarimeve.
Tutje, Leonardi ka shtuar se janë të kënaqur me mënyren se si prokurorja e rastit ka organizuar intervistimin e të dyshuarve.
“Mirëpo, duam ta përmendim që jemi të kënaqur me mënyrën se si prokurorja ka organizuar intervistimin e tyre dhe kemi besim të plotë në të. Drejtësia duhet dhe do të triumfojë, për Liridonën tonë dhe për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara”, ka shkruar ai.