Të fundit

​Rënia e eksportit, Qeverisë i kërkohet me urgjencë t’i shqyrtojë politikat fiskale e stimuluese

Ndryshimi i politikave fiskale, themelimi i fabrikave, ulja e kërkesave për import të mallrave, politika më të favorshme për investime të huaja dhe gjetja e masave stimuluese për prodhim, po konsiderohen të jenë ndër hapat kryesor që duhet ndërmarrë në mënyrë që të rritet vlera e eksportit dhe të bie vlera e importit të mallrave në Kosovë.

Në raportin e fundit për tregti të jashtme të mallrave në Kosovë, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2023, kishte vlerën 65.4 milionë euro, ndërsa importi 543,1 milionë euro, që është një rënie prej 9.3 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 4.1 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Njohës të ekonomisë thonë se rënia e eksportit të mallrave mund të jetë si rezultat i rënies së kërkesës në vendet e eksportit apo e nivelit të konkurueshmërisë së prodhimeve vendore, karshi konkurrencës ndërkombëtare.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna e vlerëson shqetësues faktin e trendit të rënies së eksportit e ngritjen e importit të mallrave në Kosovë, derisa shton se kjo situatë duhet të merret me urgjencë dhe të shihet se ku ka ngecje.

Rafuna në një prononcim për KosovaPress, tha se janë disa masa që duhet ndërmarrë në mënyrë që situatë të ndryshojë, për çka thotë se kjo çështje është “kompentencë ekzluzive” e Qeverisë së Kosovës.

“Duhet të gjejmë masa stimuluese për prodhimin në mënyrë që duke e stimuluar prodhimin edhe të eksportojmë jashtë vendit tonë. Duhet pikë së pari ndryshim i politikave fiskale që e ndihmojnë shumë prodhimtarinë ose që e rritin prodhimtarinë. E dyta, duhet politika më të favorshme për investime të huaja në Kosovë, se duke ardhur investitorët e huaj në Kosovë, duke themeluar fabrikat e prodhimit, atëherë ata do të fillojnë ta prodhojnë produktin në Kosovë dhe do ta eksportojnë. Kjo do të ndihmojë që ta ndryshojmë bilancin tregtar të mallrave, që ta ulim varshmërinë nga importi, ose ta ulim kërkesën për import të mallrave, duke pas mallra më shumë të prodhuara në vendin tonë…Ka shumë e shumë masa, kjo është çështje që i takon dhe është kompentencë ekskluzive e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht propozuesit të Ministrisë së Financave por edhe ministrive të tjera…Gjatë tërë viti ka rënie dhe kjo është shqetësuese, kjo duhet të merret me urgjencë për të parë se ku është çalimi”,

Ndër të tjera, Rafuna potencoi se Kosova importon më së shumti produktet për konsum të gjerë, duke përfshirë ushqimet dhe tekstilin. Derisa shtoi se te eksporti dominon industria e drurit dhe ajo e përpunimit të ushqimit.

Rafuna thotë se te eksporti edhe plastika është kërkesë në rritje.

Ndërkaq, drejtori programor në Institutin Riinvest, Visar Vokrri në një prononcim për KosovaPress, tha se rënia e eksportit mund të jetë si rezultat i rënies së kërkesës në vendet e eksportit apo e nivelit të konkurueshmërisë së prodhimeve vendore, karshi konkurrencës ndërkombëtare.

Vokrri potencoi se deficiti tregtar vetëm sa po thellohet, për çka tha se këtu mund të ndikojë edhe ngritja e vlerës së lëndës së parë apo kostoja e fuqisë punëtore.

“Statistikat e fundit që janë publikuar tani shpërfaqin një rënie, nuk mund të them të ndjeshme të eksporteve në vitin 2023 në raport me vitin paraprak. Kurse, në anën tjetër kemi një ngritje të importeve, pra po shohim deficiti tregtar vetëm sa po thellohet. Kjo rënie e eksporteve që nëse nuk gaboj ishte diku 50 milionë euro më pak, apo rreth 6 për qind më pak se viti 2022, vërehet se është në industri apo sektorë specifik të ekonomisë. Rëniet më të mëdha vëreheshin në industrinë e plastikës, pastaj ishte mobilieria kryesisht dyshekët që eksportohen, por edhe mineralet e shumta të pa përpunuara që eksportohen nga Kosova…Rënia e eksporteve mund të jetë si rezultat ndoshta i rënies së kërkesës në vendet, në tregjet e eksportit apo ndoshta, dhe uroj mos të jetë kjo e fundit, një rënie e nivelit të konkurueshmërisë së prodhimeve vendore karshi konkurrencës ndërkombëtare. Kjo mund të jetë si rezultat i ngritjes së lëndës së parë apo edhe kostos së fuqisë punëtore sepse, siç po dimë tani me presioni më i madh që po vije nga imigrimi i fuqisë punëtore. Kjo, natyrisht që do të reflektohet dhe të ketë implikime edhe në treg të punës përmes ngritjes të kostos së fuqisë punëtore”, tha Vokrri.

Vokrri potencoi se ende ka hapësirë për t’u përmirësuar klima e të bërit biznes në Kosovë. Ai shtoi se ndër hapat që duhet ndërmarrë për të ndryshuar gjendjen janë, aktivizimi i një pjese të fuqisë punëtore, ndryshimi i politikave fiskale dhe promovimi më i madh i bizneseve që eksportojnë.

Në një raport të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se të dhënat tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.3 për qind në muajin dhjetor 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 477.7 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 449,5 milionë euro në vitin 2022. Derisa eksporti mbulon importin me 12 për qind.

Lidhur me këto të dhëna, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për media, duke kritikuar qeverinë aktuale për menaxhim të pa aftë.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi ka thënë se asnjëherë nuk ka ndodhur brenda një periudhe tre vjeçare të ketë 56.5 për qind rritje të deficitit tregtar. Ai shtoi se nga viti 2022 në vitin 2023, eksporti në Kosovë ka rënë për 101 milionë euro më pak./KP

Video nga Paradoks

Ekskluzive: I kërkuar nga Interpoli për vr’asjen që tronditi Norvegjinë - misteri i njeriut që sillej në Ferizaj me katër identitete të rreme

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci