Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka uruar Talat Xhaferin, për pozitën e re si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Konjufca ka thënë se Xhaferi si kryeministër teknik sado me kompetenca dhe kohë të limituat do të jetë, do të thyej një barrierë të perceptimit për këdo.
“Talat Xhaferit ia uroj pozitën e re të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, këtë arritje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Deri dje ai udhëhoqi shkëlqyeshëm Kuvendin e këtij vendi mik. Kryeministri shqiptar, sado me kompetenca dhe kohë të limituar, thyen një barrierë të perceptimit për këdo. Urojmë që kjo përgjegjësi e re t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Konjufca në facebook.
“Bërja e Z. Xhaferi kryeministër deri në realizimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut vjen si mundësi që pjesëmarrja dhe integrimi i plotë i shqiptarëve të vlerësohet si synim i pashmangshëm, aq sa edhe përparimtar, prej të cilit përfiton më së miri vetë Maqedonia e Veriut. Urime z. Xhaferi dhe suksese në detyrën tuaj, duke shpresuar dhe besuar se kjo do t’i hap rrugën ndryshimeve të përparimit të vazhdueshëm politik!”, ka shtuar më tej Konjufca.