Këshilltari i kryeministrit Kurti për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, duket se dyshon se Talat Xhaferi është shqiptar.
Sipas tij, fillimisht Xhaferi duhej të bënte homazhe te varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001.
“Talat Xhaferi, si kryeministër teknik, do të quhej shqiptar, sikur të paktën si gjest të parë prej kryeministri, të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001, ku do të shprehte mirënjohje dhe respekt, sepse pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur të tyre, kjo arritje simbolike nuk do të ishte aspak e mundur”, shkroi Qoku në Facebook.
Sot deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut votuan për qeverinë teknike e cila do të drejtohet për herë të parë nga një shqiptar: ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Talat Xhaferi, i cili për një kohë drejtoi edhe legjislativin maqedonas, nga sot është futur në historinë moderne si shqiptari i parë që udhëheq me postin më të rëndësishëm në këtë shtet.