Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar edhe njëherë Kosovës që të shtyjë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme për ndalimin e përdorimit të dinarit serb.
Ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenier, të hënën i ka shkuar në takim guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismailit.
Në një njoftim në platformën ‘X’, Hovenier tha se i ka kërkuar Ismailit që të shtyhet vendimi i paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
“Pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së rreth zbatimit të rregullores së ndryshuar për operacionet me para të gatshme. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, ka shkruar Hovenier.
Today I had a productive meeting with the Governor of the Central Bank of Kosovo, Ahmet Ismaili. I reiterated U.S. concerns about the implementation of the amended regulation on cash operations. We urge that enforcement be postponed to allow ample time for effective transition… pic.twitter.com/MuVgxoxzC3
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) January 29, 2024
Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Sipas nenit 11 të Kushtetutës, “në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme”.
Kjo rregullore parashihet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.