Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bashkë me kryetatin e Istogut Ilir Ferati, ka bërë homazhe tek varri i ish-kryetarit të këtij qyteti, Fadil Ferati në 14 vjetorin e vdekjes së tij.
Në faqen zyrtare të LDK-së, është shkruar se sot nderojnë veprën e jashtëzakonshme të Fadil Feratit, i cili mbetet një ndër personalitetet më të rëndësishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Istogut dhe Kosovës.
“Veprimtari i madh, Fadil Ferati ishte kryetar i Istogut për shumë vite, nënkryetar i LDK-së, anëtar i Kryesisë Qendrore dhe anëtar i Këshillit të përgjithshëm. Roli dhe kontributi i tij në veprimtarinë kombëtare dhe angazhimin e pashembullt në politikë, mbesin testament për kohën dhe gjeneratat që vijnë se si punohet parreshtur pë të mirë e përbashkët dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët. Në këtë përvjetor mbetet i paharrueshëm kontributi i tij në rrugën për liri dhe pavarësi si dhe angazhimi politik në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në Istog; kjo u dëshmua edhe me mbështetjen e parezervë që ata ia dhanë për disa mandate si kryetar i komunës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.