Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Bekim Qoku, do të garojë në zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut. Ai ka thënë se si shtetas i Maqedonisë së Veriut, ka bindje që përkojnë me Lëvizjen Vetëvendosje, e angazhimin po e cilëson “nevojë të kohës”.
“Dua të theksoj që unë së pari jam shqiptar i Maqedonisë së Veriut dhe qytetar i këtij vendi. Kam vetëm shtetësinë e MV. Pra, angazhimi im politik në këtë vend nuk është i një të huaji, por i dikujt që ka lindur, rritur dhe jeton këtu bashkë me familjen. Së dyti, bindjet e mia e politike përkojnë me ato të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ku jam edhe aktivist edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në këtë subjekt politik mbi 10 vjet”, ka shkruar Qoku në Facebook të martën.
Sipas Qokut, angazhimin politik në Maqedoni të Veriut nuk e ndërlidh me pozitën në Kosovë.
Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka thënë se VV-ja do të jetë pjesë de facto e zgjedhjeve në Maqedoni nëpërmjet Qokut.
“Vetëvendosje de jure nuk do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhje, por de fakto po sepse anëtarë të saj do të jenë në listat zgjedhore siç është Bekim Qoku strugan dhe që ka qenë deputetë në parlamentin e RMV në kohën e PDSH dhe tani do të marrë pjesë e listën zgjedhore pra si pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim”, ka thënë Mexhiti për KSP-në.