Të fundit

Kundërshtuesi i skandalit të Rezervës Shtetërore largohet nga puna në Ministrinë e Tregtisë

Ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari e ka shkarkuar nga detyra Ermal Kutllovcin, zyrtarin për cilësi dhe produkteve të naftës në MINT.

Një vendim i Komisionit Disiplinor të MINT-it konstaton se shkarkimi i Kutllovcit ndërlidhet me “shkelje disiplinore dhe sjellje jo të mirë, gjuhë nënçmuese dhe aspak profesionale, gjatë një takimi të mbajtur me zyrtarë të MINT-it”.

Kutllovci, në një reagim në rrjetet sociale të martën, shkarkimin e tij e ka quajtur skandaloz.

Ai ka thënë se komisioni disiplinor me vendimin për shkarkimin e tij, ka vepruar në bazë të urdhërit politik të ministres Rozeta Hajdari. Ndërsa, u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë e Komisionit Hetimor Parlamentar, që ta zbardhin të vërtetën deri në fund.

“Të nderuar përfaqësues të mediave, Të dashur miq, shokë e familjarë, Sot urdhrin politik të Ministres Rozeta Hajdari, e përfilli absolutisht komisioni disiplinor i cili nxjerri vendim skandaloz për largim nga marrëdhënia e punës, natyrisht vendim arbitrar të diktuar e imponuar nga një presion i paparë politik. Ju që më njihni personalisht e familjarisht besoj e dini, unë kurrë nuk jam zmbrapsur e as nuk zmbrapsem në rrugëtimin e drejtë e të ligjshëm. Pra unë jam i njëjti i pandryshueshëm dhe i pa kompromisë në respektim të ligjshmërisë”, ka shkruar Kutllovci, në reagimin e tij.

Reagimi i plotë i Kutllovcit:

Të nderuar përfaqësues të mediave, Të dashur, miq, shokë e familjarë, Sot me datën, 29 Janar 2024, pranova Vendimin me Nr. Protokolli 454/02, përmes se cilit u njoftova se masa e ndëshkimit disiplinor ndaj meje u bë për shkak të ngritjes së zërit kritik brenda Institucionit, krejtësisht në mbrojtje të ligjshmërisë me epilog “LARGIM NGA MARRËDHËNIA E PUNËS”. Çdo reagim e kundërshtim i imi brenda institucionit ishte i bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Sinjalizimin. Janë bërë katërmbëdhjetë (14) vite që jam pjesë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), tani Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Për këto vite jam mundur me përkushtim e profesionalizëm t’i shërbej me nder e shumë përgjegjësi këtij Institucioni, pra kam qëndruar vertikalisht nga dita e parë e deri me sot. Unë gjithmonë kam qenë vigjilent e largpamës në procese të ndjeshme e zhvillime të rëndësishme për institucionin, saqë aty ku e kam vlerësuar se ka tendenca për veprime në kundërshtim me ligjin, pa asnjë hezitim e me shumë vullnet e guxim u kam thënë JO.

Për informimin e drejtë e të sinqertë për gjithsecilin, unë jam zyrtari i cili i ka thënë JO një procesi të kundërligjshëm e me shumë të panjohura, siç ishte procesi i furnizimit me produkte për Rezervën Shtetërore në Vitin 2022.

Po unë jam ai i cili në vazhdimësi e kam kundërshtuar këtë proces me shkrim e jo verbalisht, duke e paralajmëruar në vazhdimësi Ministren Rozeta Hajdari, se veprimet dhe heshtja juaj karshi këtij procesi bien ndesh me ligjin bazë për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Pra edhe përkundër kundërshtimeve të drejta (ligjore) e parimore, paralajmërimeve të njëpasnjëshme, kurrë në asnjë moment s’kam pranuar ndonjë shkresë zyrtare me të cilën së paku do tentohej të demantohet shqetësimi i shprehur qysh në fillim të këtij procesi. Pas heshtjes totale për këtë situatë të ndjeshme, ndodhi ajo çfarë secili prej jush e keni parë përmes mediave, aksionin e Prokurorisë Speciale e Policisë së Kosovës e ku ne zyrtarët e institucionit e përjetuam emocionalisht! Çuditërisht edhe kjo situatë kaloj në heshtje sikurse nuk ndodhi asgjë?!

Mirëpo, mllefi i heshtur dhe i akumuluar i Ministres Rozeta Hajdari, karshi meje fatkeqësisht për të e fatmirësisht për interesin publik e shtetëror shpërthej me datën, 11 dhjetor 2023, Ora 15:35, ku ajo së bashku me zv.Ministrat z. Mentor Arifaj dhe z. Resul Makreshi, zv.Sekretarin e Përgjithshëm z. Daut Latifaj dhe Shefin e Kabinetit z. Kushtrim Dakaj, e vizituan Departamentin e Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM). U trondita me sjelljen dhe tendencën e Ministres Hajdari për të ndaluar e cenuar fjalën dhe mendimin e lirë e sidomos për çështjen e procedurës së furnizimit të Rezervës Shtetërore. Diskutimi im e shqetësoj dhe e nervozoj tejmase, saqë e humbi tërësisht kontrollin dhe e kërkoj hakmarrjen para të gjithëve. Ministrja, Rozeta Hajdari, çuditërisht më kërcënoj hapur para të gjithëve me fjalën (mbylle gojën), saqë iu drejtua me urdhër z. Daut Latifaj, zv.Sekretarit të Përgjithshëm dhe kërkoj inicimin e procedurës disiplinore. Ky zbatuesi i urdhrave përpos deficitit të lartë në aspektin profesional është caktuar zv.Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr.06/L-113, Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, konkretisht Nenin 18, Paragrafi 5. I njëjti me paramendim vepron në kundërshtim me Ligjin Nr. 08/L-197 Për Zyrtarët Publikë, konkretisht me Nenin 59, Paragrafi 2, 3 dhe nënparagrafin 3.1. Për veprimet e tij të kundërligjshme e tendencioze, natyrisht se do të përballet me proceset e mëtejme ligjore.

Të nderuar përfaqësues të mediave, Të dashur miq, shokë e familjarë, Sot urdhrin politik të Ministres Rozeta Hajdari, e përfilli absolutisht komisioni disiplinor i cili nxjerri vendim skandaloz për largim nga marrëdhënia e punës, natyrisht vendim arbitrar të diktuar e imponuar nga një presion i paparë politik. Ju që më njihni personalisht e familjarisht besoj e dini, unë kurrë nuk jam zmbrapsur e as nuk zmbrapsem në rrugëtimin e drejtë e të ligjshëm.

Pra unë jam i njëjti i pandryshueshëm dhe i pa kompromisë në respektim të ligjshmërisë. Për gjithë ecurinë se çfarë ka ndodhur në realitet, mbase për konsistencën e qëndrueshme për të mirën e përgjithshme shumë shpejtë do e keni të pasqyruar në detaje. I bëjë thirrje organëve të drejtësisë e Komisionit Hetimor Parlamentar ta zbardhin të vërtetën deri në fund. Jam rritur e frymëzuar në një prej familjeve më intelektuale e atdhetare që ka vendi ynë. Jam krenar me veprat e paraardhësve të mi e njëjtë do të jenë krenar me veprat tona edhe pasardhësit tanë. Po e përmbylli këtë reagim me një thënie motivuese të letrarit e publicistit, Johan Volfgang Gëte, (Citoj): “Ju jeni të lirë, nëse ndërgjegja juaj është e pastër”. Ju përshëndes përzemërsisht të gjithëve! Ermal KUTLLOVCI.

Video nga Paradoks

"Po m'thojnë mos kno se po knon keq": Ramush Haradinaj ia jep këngës live - e fton Mirandën në duet

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci