Britania do të konsiderojë njohjen e një shteti palestinez si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të arritur një zgjidhje paqeje “të pakthyeshme”, ka thënë sekretari i Jashtëm, David Cameron.
Në atë që do të shënonte një moment historik diplomatik, ai tha se masa do të ndihmonte për të sjellë një zgjidhje me dy shtete – duke u përballur aktualisht me kundërshtimin e ashpër nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Palestinezët duhet të kenë një horizont politik në mënyrë që të shohin se do të ketë përparim të pakthyeshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Cameron në një fjalim të hënën mbrëma në një pritje në Londër.
Sekretari i Jashtëm e kishte shtyrë Netanyahun për një zgjidhje me dy shtete për të sjellë paqen si për popullin izraelit ashtu edhe për palestinezin javën e kaluar gjatë një takimi në Jerusalem, raporton The Guardian.
Netanyahu ka kundërshtuar përpjekjet e aleatëve, përfshirë SHBA-në, për të fituar mbështetjen e tij për propozimin, duke thënë se kjo do të “rrezikonte shtetin e Izraelit”, ndërsa ai kritikoi “përpjekjen për ta detyruar”.
Por në fjalimin e tij të hënën, Cameron shpjegoi se si Britania e Madhe dhe aleatët mund të rrisin presionin duke konsideruar njohjen e një shteti palestinez në Kombet e Bashkuara.
“Ne duhet të fillojmë të përcaktojmë se si do të dukej një shtet palestinez – çfarë do të përbëhej, si do të funksiononte”, tha ai.
“Ndërsa kjo të ndodhë, ne, me aleatët, do të shikojmë çështjen e njohjes së një shteti palestinez, duke përfshirë Kombet e Bashkuara. Kjo mund të jetë një nga gjërat që ndihmon për ta bërë këtë proces të pakthyeshëm”.