“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur mbrëmë një takim urgjent me disa ministra të qeverisë serbe, pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka refuzuar propozimin e SHBA, BE-së dhe vendeve të KUINT-it dhe ka vendosur që nesër të fillojë ndalimi i përdorimit të dinarit në Kosovë”, kanë deklaruar nga presidenca serbe për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.
Në takimin e mbajtur e Vuçiqit me ministrat e tij është diskutuar për hapat e radhës që do të ndërmarrë Beogradi me këtë rast, transmeton Paparaci.
Mirëpo, më herët mbrëmë në Prishtinë, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se Qeveria e Kosovës nesër do të dalë me informacione lidhur me dekretin e BQK-së.
“Ne e përmendëm çështjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës. Por unë nuk do të jem zëdhënës i qeverisë së Kosovës. Do të ketë informacione që do t’ju komunikohen nesër”, ka thënë Lajçak para gazetarëve pas takimit me kryeministrin Kurti./Paparaci.com