Xavi flet nga zemra. Sot, Barcelona do të rikuperojë ndeshjen e La Liga-s me Osasunën, e shtyrë për shkak të Superkupës së Spanjës. Kësisoji, trajneri Blaugrana është rikthyer në sallën e shtypit pas disfatës turpëruese të shtunën e kaluar 5-3 ndaj Villarreal. Ai njoftoi largimin në qershor, një vit përpara se kontrata e rinovuar t’i skadonte.
Këtë dalje para gazetarëve e bëri me dorë në zemër dhe sinqeritet të madh. Natyrisht që u fol shumë për të tashmen dhe të ardhmen, Xavi e bëri këtë në mënyrë të hapur, të guximshme dhe shumë interesante:
“Sinqerisht, nuk mendoj se i është dhënë vlera e duhur punës sonë, ose të paktën kjo është ndjenja ime.
Kjo nuk është një çështje nëse ne mund t’i rezistojmë apo jo presionit. Arritëm në një nga momentet më të ndërlikuara në historinë e klubit dhe fituam La Liga-n me 14 pikë epërsi. Por mund të bësh ose të thuash çfarë të duash, puna nuk merret në konsideratë siç duhet. Duket sikur duan të të bindin se je i pavlerë.
Më vjen keq që e them, por e përsëris, kështu i ndjej gjërat: të stërvitesh Barcelonën bëhet e pakëndshme. Të bëjnë të ndihesh sikur je i pavlerë. Unë kisha folur për këtë me Pep (Guardiola) dhe ma kishte thënë.
E njëjta gjë ndodhi me Valverden, pashë gjithashtu Luis Enrique të vuante. Kjo duhet të na bëjë të mendojmë, ne kemi problem me kërkesat që shoqërojnë pozicionin e trajnerit të Barçës. Duket sikur po rrezikon jetën tënde në çdo ndeshje, prandaj them se është një punë mizore, nuk të pëlqen”.
Xavi nuk është larguar ende, por nuk e përjashton tashmë një rikthim: “Unë do të jem gjithmonë në dispozicion për atë që i nevojitet klubit. Nuk e përjashtoj mundësinë që të kthehem një ditë, por klubi nuk ka nevojë për mua tani. Kjo lamtumirë është një vendim që e kisha marrë tashmë. Në fakt nisa ta marr në konsideratë në fillim të sezonit. E përsëris, puna nuk vlerësohet”.
Mbi mbështetjen publike që ka marrë këto ditë: “Ajo që më intereson është cilësia njerëzore, ka lojtarë që më kanë bërë emocional. Ditët e fundit shumë kanë ardhur në zyrën time për të folur me mua privatisht. U befasova nga mesazhet dhe telefonatat. Gjesti im u diktua nga nevoja për të gjeneruar një reagim pozitiv, dhe kështu u bë. Tani duhet të bëjmë një hap përpara, shumë varet nga frymëzimi i lojtarëve”.