Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se për zbatimin e vendimit që valutë e vetme në Kosovë të jetë vetëm euro duhet të gjendet një “zgjidhje praktike” në mënyrë që Kushtetuta e Kosovës, të zbatohet në çdo cep të Republikës.
Ajo para gazetarëve teksa bëri homazhe në 27-vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, deklaroi se për zbatimin e këtij vendimi më së shumti kohë mund të jetë një muaj.
“Deri në momentin e zbatimit mund të merr përafërsisht një muaj. Do të ketë një dakordim këto dy ditë, do të kemi edhe deklarata publike. Unë jam për atë se zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër por për këtë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri”.
Ndërsa theksoi se janë duke u diskutuar disa opsione për zbatimin e këtij vendimi.
“Banka Qendrore e Kosovës, ka kryer punën e vet në përputhje me parimin e pavarësisë siç edhe kërkohet nga ky institucion”.
“Ndërsa, sa i përket zbatimit në praktik të këtyre parimeve janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do të thotë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetueses, por në anën tjetër do t’u lihet një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre në llogari të reja në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se me emisarin e të deleguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, s’ka arritur të diskutoj për këtë çështje.
“Sa i përket dinarit me zotëri Lajçak, s’kemi arritur të diskutojmë sepse kemi pasur për të diskutuar shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me dialogun. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tani, ashtu siç e kërkon Kushtetuta”.