Kryetari i kuvendit serb, Vlladimir Orliq, ka deklaruar se “qëndrimi i Serbisë është i qartë, se nuk ka njohje të Kosovës së pavarur, pavarësisht se luftohet në kushte më të këqija se të pamundura” dhe, sipas fjalëve të tij, “të terrorit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ndaj pakicës serbe”, shkruan gazeta në shërbim të regjimit serb “Kurir”.
“Kurti vazhdon terrorin e tij ndaj serbëve të Kosovës dhe kjo është e qartë për të gjithë. Pyetja e vetme është nëse dikush do t’i qaset ashtu siç duhet apo do të kalkulojë dhe do të bëjë manovra politike me të. Fatkeqësisht, kjo mund të shihet te të huajt, por edhe te disa këtu”, ka pretenduar Orlliq.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për “sulme ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Dhe se është e qartë se kush është fajtori kryesor dhe kush është gjeneruesi i të gjitha problemeve. Ata që nuk e shohin këtë, ose duhet të jenë larg çdo logjike ose të pafytyrë”, transmeton Paparaci.
Ai ka thënë se lufta për Kosovën po zhvillohet në kushte, sipas tij, “më të këqija se të pamundura”.
“Ka punë të vazhdueshme në frontin diplomatik. E keni të qartë se të vetmit që po bëjnë diçka për këtë është presidenti ynë Vuçiq dhe qeveria jonë. Dikush tjetër as që do të përpiqej të luftonte në këto kushte, që për ne janë më të këqija se të pamundura. Ne arritëm të kapërcejmë disa gjëra edhe në kushte të tilla. Sa për t’ju kujtuar se më shumë se 20 vende, 28 prej tyre kanë tërhequr njohjen që dhanë për “të ashtuquajturën Kosovë e pavarur”. Populli serb në Kosovë i jep mbështetje plebishitare presidentin tonë”, përpiqet Orlliq të tregohet sa më servil ndaj shefit të tij në prag të emërimeve në organet e reja qeverisëse në Serbi.
Sipas tij, “qëndrimi i Serbisë është i qartë”.
“Qëndrimi ynë është i qartë, i cili është edhe në Kushtetutën tonë dhe që presidenti ynë ua thotë hapur të gjithëve edhe Scholz-it edhe Macron-it dhe tani edhe Lajçak-ut, është se nuk ka njohje të Kosovës së pavarur. Arritëm të ndryshojmë disa gjëra sepse tani më tema nuk është njohja por normalizimi. Dikush do të thotë se nuk është ndonjë ndryshim i madh. Mendoj se është një ndryshim shumë i madh. Për ne kjo nuk është as njohje de facto dhe as de jure dhe këtë kurrë nuk do ta fitojnë nga ne, derisa ne pyetemi. Për ne Kosova është pjesë integrale e vendit tonë, kështu thuhet në Kushtetutë dhe ne do ta respektojmë Kushtetutën tonë”, ka pretenduar ai./Paparaci.com