Qeveria e Kosovës e ka refuzuar kërkesën e aleatëve të saj ndërkombëtarë për shtyrjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), derisa ka njoftuar se Rregullorja e re e BQK-së hyn në fuqi nga nesër.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se zbatimi i Rregullores së re të BQK-së parasheh një periudhë tranzitore në të cilën qytetarët serbë “të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa dëmtime”.
Kjo periudhë tranzitore, sipas zëvendëskryeministrit, nuk parasheh vendosje të masave ndëshkuese ndaj qytetarëve serbë që përdorin dinarin.
“[Rregullorja e re, v.j] hyn në fuqi nesër. Tentativa që data e hyrjes në fuqi të interpretohet vetëm nga këndi i ndikimit që do të ketë në transportimin e valutave në dinarë e shpërfill rregulloren në tërësi. Rregullorja e BQK as nuk e ndalon as nuk e lejon, as nuk merret me dinarin serb. Dinari serb nuk ka qenë i lejuar mëherët që rregullorja ta ndalojë atë”, tha ai në konferencë.
Ai ka thënë se kërkesat e aleatëve ndërkombëtarë nuk e vendosin në dyshim procesin e zbatimit të Rregullores së re të BQK-së.
“Më lejoni që të potencoj se asnjë nga kërkesat e palëve të involvuara, e sidomos kjo vlen për miqtë tanë ndërkombëtarë, nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores së miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës. Nuk e vë në dyshim se në gjithë këtë proces BQK-ja është institucion i pavarur dhe se në gjithë këtë proces BQK-ja i nënshtrohet vetëm Kushtetutës sonë dhe standardeve më të avancuara ndërkombëtare që rregullojnë sistemin e pagesave. Nuk e kontestojmë që euro ka qenë dhe vazhdon të jetë e vetmja valutë zyrtare në përdorim”, tha Bislimi.
“E vetmja brengë e partnerëve tanë ka të bëjë me domosdoshmërinë që për përshtatjen eventuale të operimit nën ombrellën e re të rregullave, ata qytetarë që kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë monedha nga Republika e Serbisë, të kenë pak më shumë kohë në dispozicion dhe në të njëjtën kohë të jenë të informuar më mirë nga implikimet që dalin nga zbatimi i kësaj rregullore”, tha ai.
Bislimi ka deklaruar se kërkesa parësore e aleatëve ndërkombëtarë është sigurimi i një periudhe tranzitore.
“Kërkesa parësore është sigurimi i një tranzicioni të lehtësuar dhe siguria te qytetarët serbë se zbatimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transferimeve nga Serbia dhe nuk nënkupton reperkusione financiare eventuale për mbajtjen e një valute të një shteti tjetër. Menaxhmenti i BQK-së ka ofruar opsione se si mund të rregullohet kjo pa shkaktuar vështirësi te qytetarët e komunitetit serb të cilët kanë operuar me monedhën dinar deri më tani”, u shpreh ai.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe në të njëjtën kohë qeveria është e përkushtuar që periudhat eventuale tranzitore të sigurojnë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa dëmtime”, tha Bislimi.
Zv/kryeministri Bislimi tha se “Qeveria është e përkushtuar që në këtë fazë tranzitore të investojë më shumë në informim dhe edukim ë bizneseve dhe qytetarëve, e jo në masa ndëshkuese nga dita e nesërme”.