Kryetari i Mitrovicës Bedri Hamza ka reaguar për zhvillimet e fundit që lidhen me financimin e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Përmes një shkrimi në Facebook, Hamza është shprehur tejet i shqetësuar për lajmet e fundit në lidhje me mos financimin e mbrojtjes ligjore të ish-presidentit Thaçi.
“Mungesa e ndihmës në nivelin adekuat nga institucionet përkatëse të Kosovës për themeluesit e luftës çlirimtare është evidente”.
Hamza i ka disa fjalë për mbështetjen e çlirimtarëve të cilët po gjykohen në Hagë.
“Kosova ka mjete financiare që e përballojnë koston e mbështetjes financiare dhe nuk paraqet asnjë rrezik për stabilitetin makrofiskal për vendin. Për më tepër e ritheksoj se e kemi obligim ligjor dhe moral ta mbrojmë të vërtetën e Lirisë së Kosovës, e t’ju dalim hakësh burrave të lirisë”.
Hamza ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës jo që duhet ta zvogëlojë mbështetjen por duhet t’i rrisin financimet për mbrojtjen e themeluesve të UÇK-së.
“Kështu ka vepruar edhe Kroacia me gjeneralët e saj, përfshi gjeneralët shqiptarë. Kështu duhet të veprojmë edhe ne. Heshtja përballë kësaj çështje nuk i bënë nder vendit”, ka shkruar tutje Hamza.