Një pikë e pompës së derivateve “Patroni” Sh.P.K., në pronësi të afaristit Driton Morina do të mbyllet sot me vendim të Ministrisë së Bujqësisë.
Ministria e Bujqësisë, ka nxjerrë të hënën një vendim përmes së cilit obligohet lirimi i dy pronave të shtetit përball objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë në Prishtinë.
Njëra nga pronat, e cila do të lirohet sot për shkak të mosvazhdimit të kontratës së qerasë nga Ministria e Bujqësisë, i përket Driton Morinës, presidentit të klubit të futbollit Malisheva.
Morina, i cili bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) është pronar i 100 për qind të aksioneve të Patroni Sh.P.K, është president dhe donator kryesor i klubit nga Malisheva që garon në Superligën e Kosovës.
Paparaci, ka biseduar sot me afaristin Morina.
Ai e ka quajtur diskriminues vendimin e Ministrisë së Bujqësisë për rrënimin e biznesit të tij.
Morina në një prononcim për Paparacin thotë se vendimi i ministrit Faton Peci është diskriminues sepse sipas tij, “kanë qenë tri biznese aty dhe dy po largohemi prej pronave por një po mbetet”.
Ai tregon se lënda është dërguar në gjykatë dhe janë në pritje të vendimit final.
“Ne e kemi dërguar lëndën në gjykatë për shkak të kontratës. Në kontratë ka shkruar që kohëzgjatja është pesë vite por që ne kemi të drejtë të investojmë për restorant, për market etj. që i bie se na lejohej shuma të mëdha investimi. Tash ne po e presim gjykatën”, ka thënë ai.
Procesi i lirimi i hapësirave publike, të shfrytëzuara me kontratë nga dy biznese private, ka filluar sot rreth orës 12:00. Në aksionin e Ministrisë së Bujqësisë janë duke asistuar edhe njësite të Policisë së Kosovës. /Paparaci.com