Klubi i Ballkanit ka konfirmuar se mesfushori Qëndrim Zyba është transferuar në kampionatin polak, më saktësisht te skuadra e Legias së Varshavës.
Zyba është transferuar në formë huazimi, ndërsa Legia ka të drejtën për blerjen e kartonit të futbollistit.
“Ju njoftojmë se super mesfushori ynë dhe i Kombëtares së Kosovës, Qëndrim Zyba, e vazhdon karrieren te skuadra prestigjioze e Legias së Varshavës. Futbollisti huazohet te ekipi polak deri në fund të sezonit, me të drejtë blerje të gjithë kartonit”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ballkani ka falënderuar Zybën për kontributin e tij, teksa i ka dëshiruar fat në të ardhmen.
“Klubi e falenderon Zybën për kontributin e madh që ka dhënë me ne, duke ndihmuar në arritjen e objektivave tona, kurse ne jemi të lumtur që si vatër e ngritjes profesionale të lojtarëve, krijojmë në vazhdimësi mundësi për ta që të arrijnë lartë e më lartë”, thuhet në komunikatën e Ballkanit.