Një video ku shiheshin sjellje të çuditshme të punëtorëve të Komunës së Leposaviqit, e cila udhëhiqet nga kryetari Lulzim Hetemi, është publikuar të enjten.
Në pamjet e publikuara nga portali Nacionale, ata kapeshin me njëri-tjetrin, bënin lëvizje të çuditshme, e krejt kjo nëpër zyrat e komunës. Ata zgjidhnin mënyra të tjera për të kaluar kohën e lirë. Dikush luante Counter Strike. Në mesin e tyre duket të jetë edhe djali i zëvendës ministrit Radojica Radomiroviq, Nikolla, i cili është drejtori i Administratës komunale.
E kur nuk luanin Counter Strike, punëtorët e kalonin kohën duke lozur me letra. Kjo dëshmohet në një tjetër video-incizim. Kur kishte pak momente relaksimi, anëtarët e kabinetit të Lulzim Hetemit në zyrë, bashkë me zëvendës ministrin Radomiroviq e zyrtarë të tjerë serbë, pinin edhe pak raki.
Në momentet kur pihej raki, në zyre shihet i pranishëm edhe drejtori i Emergjencave në Komunën e Leposaviqit, Valton Peci, i cili duket se po kalonte momente të këndshme argëtimi. Valton Peci në zgjedhjet lokale të vitit 2021 ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për anëtarë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, por për shkak të numrit të pamjaftueshëm të votave nuk kishte arritur të zgjidhet.
Në këto momente dëfrimi shihet edhe shefja e kabinetit të kryetarit të Leposaviqit, Shqipe Latifi, e cila cakërron gotën e rakisë me një zyrtar serb teksa përdoret shprehja “zhivelli” (gëzuar).