“Gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në organet ilegale në Pejë, Istog dhe Klinë, janë ndaluar kryetarët e këtyre institucioneve për intervista informative, si dhe janë mbyllur qendrat shëndetësore, klinikat dhe barnatoret”, kanë kumtuar nga e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën, e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës.
“Bastisja e sotme e pjesëtarëve të armatosur të Policisë së Kosovës në “Autoritetet e Përkohshme të Komunave” të Pejës (në Gorazhdevc), Istogut (në fshatin Osojan) dhe të Klinës (në fshatin Vidan) është vazhdimi i spastrimi etnik dhe shfarosja e serbëve në Kosovë, nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Albinit Kurtit, dhe atë para syve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare”, pretendohet në propagandën e radhës së kësaj zyre, transmeton Paparaci.
Sipas kësaj kumtese, “Forcat speciale të Kurtit mbyllën komunat serbe në Dukagjin, të cilat gjatë konfliktit të vitit 1999, u pastruan etnikisht nga serbët në mënyrë të dhunshme. Me shumë vështirësi serbët u kthyen në numër të vogël në vatrat e tyre ku jeta e tyre ishte e garantuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe sot Kurti po i dëbon sërish me polici, armë të gjata dhe autoblinda”.
“Ky lloj aksioni pasoi pas bastisjes së javës së kaluar në “Komunën e Gorës”, e cila nuk u dënua nga asnjë anëtar i bashkësisë ndërkombëtare dhe se ata me heshtjen e tyre të madhe bëhen bashkëfajtorë në krimet e Kurtit”, përfundon kjo propagandë./Paparaci.com