Gjendja në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në veri të vendit në përgjithësi, ka ndryshuar shumë falë angazhimit të Qeverisë së Kosovës dhe strukturave shtetërore të sigurisë. Kështu vlerëson kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai thotë se organizatat kriminale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste, kurse vendosja e rendit dhe e ligjit në veri ka pasur përparime të mëdha dhe është në rrugë të mbarë për t’u forcuar.
Kurti këto komente i dha derisa ka kujtuar në këtë përvjetor, masakrën e 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë.
“Megjithatë, për të vrarët e të torturuarit si dhe për të dëbuarit nga pjesa veriore e Mitrovicës gjatë shkurtit të vitit 2000, duhet të ketë drejtësi. Viktimat e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, i kujtojmë me nderime dhe dhembshuri, teksa angazhohemi për drejtësi për ta dhe për të dëbuarit si dhe për ligjshmëri, rend dhe kushtetueshmëri të plotë në veri të vendit sikur në çdo pjesë të Kosovës!”, shkruan tutje Kurti./Paparaci