Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pret përgjigje në ditët në vijim lidhur me kërkesën e dërguar nga Serbia për mbajtjen urgjente të seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila është kërkuar për shkak të “spastrimit të hapur etnik në Kosovë”.
“Nuk besoj se do ta miratojnë”, ka thënë Vuçiqi dhe ka përkujtuar se nga 15 anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nëntë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se për miratimin e seancës kërkohet pëlqimi i nëntë anëtarëve.
Vuçiq ka treguar se vazhdon të shkruaj letra, se tashmë ka shkruar 15, për liderët e vendeve më me ndikim të BE-së, SHBA, Britanisë së Madhe, Kinës, Rusisë dhe se ato janë letra të personalizuara.
“Gjithmonë mendoni se njerëzit e dinë, neve na takon t’i njoftojmë, të përpiqemi të themi se duam paqe dhe stabilitet, se nuk duam luftëra, se ato nuk i bëmë ne”.
“Spastrimi etnik më tinëzar po bëhet në Kosovë, ku jetët e njerëzve bëhen të paqëndrueshme dhe të padurueshme. Kështu po ndodh”, ka pretenduar presidenti serb në propagandën e tij tashmë botërisht të njohur, duke pretenduar se “12 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova”, transmeton Paparaci.
Vuçiq ka thënë se elitat politike të vendeve perëndimore do të përpiqen ta përshpejtojnë zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë për shkak të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.
Sipas tij, “elitat politike në Evropë janë me nxitim, sepse vlerësohet se partia e gjelbër dhe e majta do të marrin më pak vota se sa kanë pasur deri më tani”.
Vuçiqi po ashtu ka pretenduar se “Perëndimi po nxiton të përshpejtojë zgjidhjen e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk janë plotësisht të sigurt se Ukraina mund ta mposht Rusinë”.
“Meqë nuk janë të sigurt, e dinë se mund të ndodhë që dikush të dalë me një rrëfim për precedentët që janë arritur në Kosovë. Prandaj duhet futur Serbinë në këtë hinkë dhe ta përfundojnë këtë tregim”, ka përfunduar Vuçiqi./Paparaci.com