Të fundit

Dhoma e Përfaqësuesve nuk e miraton projektligjin për ndihmë vetëm për Izraelin

Dhoma e Përfaqësuesve nuk e ka kaluar një projektligj të mërkurën, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara do ta ndihmonin Izraelin me 17.6 miliardë dollarë, pasi demokratët thanë se duan një projektligj ku do të përfshihej edhe ndihma për Ukrainën, financimi ndërkombëtar humanitar dhe ndihma e re financiare për sigurinë kufitare.

Projektligji i mori 250 vota në favor dhe 180 kundër, duke dështuar të kalojë për shkak se u hodh në votim me procedurë të përshpejtuar, gjë që kërkonte dy të tretat e shumicës për të kaluar.

Ndihma për Izraelin – njërin prej vendeve të huaja që gëzon mbështetjen më të madhe amerikane – tradicionalisht ka marrë përkrahje të fuqishme dypartiake në Kongres. Por, shumë kundërshtarë e cilësuan legjislacionin e Dhomës së Përfaqësuesve si dredhi politike nga republikanët për ta shpërqendruar vëmendjen nga kundërshtimi i tyre ndaj një projektligji prej 118 miliardë dollarëve, i cili përfshin një ndryshim të politikës amerikane për emigracionin dhe mbështetjen e re financiare për sigurinë kufitare, miliarda dollarë ndihmë emergjente për Ukrainën, Izraelin dhe partnerët në rajonin Indo-Paqësor.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, kishte thënë se projektligji i Senatit mbërriti “i vdekur” në Dhomë, edhe para se të prezantohej. Liderët republikanë të Senatit nuk kishin pritur që projektligji të merrte vota të mjaftueshme.

“Me këtë nuk arrihet asgjë dhe vetëm vonohemi për t’u dërguar ndihma aleatëve tanë. Aleatët tanë po përballen me kërcënime ekzistenciale dhe miqtë dhe armiqtë tanë nëpër botë po shikojnë, duke pritur ta shohin se si do të përgjigjet Amerika”, tha Rosa DeLauro, demokratja e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Ndarje Buxhetore, duke bërë thirrje që projektligji vetëm për Izraelin të mos votohej.

Presidenti amerikan, demokrati Joe Biden, i cili e mbështet projektligjin e Senatit, ishte zotuar se do të përdorte veto ndaj projektligjit të republikanëve për ndihmë vetëm për Izraelin në Dhomën e Përfaqësuesve.

Anëtarët e Kongresit janë duke hasur në vështirësi tash e disa muaj për ta gjetur një mënyrë se si të dërgojnë ndihma të sigurisë jashtë vendit, posaçërisht në Ukrainë, e cila është duke i luftuar pushtuesit rusë. Bideni i ka dërguar dy herë kërkesa Kongresit për projektligje të shpenzimeve emergjente, së fundmi në tetor.

Dhoma e Përfaqësuesve, ku republikanët e kanë shumicën, e kaloi një projektligj për ndihma vetëm për Izraelin në nëntor, por ai projektligj nuk u dërgua kurrë në Senatin e udhëhequr nga demokratët, sepse negociatorët punuan në kërkesën e Bidenit për një pako më të gjerë për siguri emergjente dhe kërkesat republikane që secila ndihmë e sigurisë të kombinohet me ndryshime në politiken e emigracionit dhe sigurisë në kufi me Meksikën.

Video nga Paradoks

Dëshmia e Tomë Dodajt: Naim Murseli bleu armë, shtiu me një plumb për ta testuar para krimit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci