Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me kërkesë të Serbisë, do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas kohës tonë dhe temë e diskutimit do të jetë situata në Kosovë. Sipas njoftimit të zyrës së Vuçiqit për media, Serbia do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
“Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë në Nju Jork, ku do të mbajë fjalim në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë”, thuhet në njoftim, transmeton Paparaci.
Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se Guajana si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka vendosur që seanca të jetë e hapur.
Daçiq ka thënë se një nga “ankesat” e Serbisë në këtë seancë do të jetë edhe vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e dinarit, e që, sipas propagandës serbe, “është një nga masat që synojnë të detyrojnë serbët të largohen nga Kosova”.
Të hënën, Serbia ka paraqitur një kërkesë për caktimin e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të “situatës në Kosovë”, për të cilën ka pretenduar se gjoja është “në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”./Paparaci.com