Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Liburn Aliu ka folur sot rreth ecurisë së fillimit të realizimit të Unazës së Jashtme të Prishtinës.
Ai tha se ky projekt është mbase para përfundimit të procedurave që do t’i hapnin rrugë fillimit të punimeve.
“Jemi në komunikim me Komunën e Prishtinës për Unazën e Prishtinës. Pra po mendoj që projekti i Unazës së Prishtinës është mbase para përfundimit. Kemi qenë në diskutim dhe ne si ministri, kjo mbase do të mund të fillojë të përfundohet me segmente. Është çështje e përfundimit të projektit, sigurimit të fondeve të huaja, dhe marrëveshje që bëhen me komunën e Prishtinës. Besoj që projekti i tillë do të jetë i rëndësishëm për shkarkimin e trafikut”, ka thënë ministri Aliu në një konferencë për media të enjten.
Rreth një muaj më parë, drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi ka thënë se projekti ka përfunduar dhe momentalisht ndodhet në Ministrinë e Financave, nga e cila pret miratim për marrjen e një kredie për investim.
Xhaferi ka thënë se unaza do të jetë e gjatë 23 kilometra dhe do të kalojë nëpër disa zona të Prishtinës.
“Diku në Shkabaj lidhet me pjesën e autostradës. Prej Shkabajt shfrytëzohet pjesa deri te kyçja në autostradën e Veternikut, dhe komplet kjo pjesa tjetër është segment i ri. Lidhet në drejtim të Hajvalisë, në drejtim të Zllatarit dhe në Zlltar do të ketë kyçje të veçantë në Rrugën A. Nga Zllatari vazhdon në Parkun e Gërmisë, në Kolovicë dhe nga Kolovica vazhdon në Kodrën e Trimave. Nga aty lidhet sërish në Shkabaj”, ka thënë Xhaferi.
Prezantohet projekti i unazës së qytetit të Prishtinës: Kjo është traseja e rrugës