Inspektorati Policor i Kosovës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se kanë arrestuar sot një zyrtar policor, pasi dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe ka marrë ryshfet.
Në komunikatë thuhet se për këtë rast kanë filluar hetimet kohë më parë, dhe pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta, sot rreth orës 17:00 është arrestuar zyrtari policor në Obiliq dhe i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.
“Hetuesit e IPK-së kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda.
Pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, sot rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor (hetues në Stacionin Policor në Obiliq) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në komunikatë.
Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.