Bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabi ka çuar sot në arrestimin e shtetasit shqiptar J.M. (47), i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim të ekstradimit të tij në Shqipëri.
Aksioni është ndërmarrë si pjesë e operacionit policor “Tentativa”. Personi i arrestuar akuzohet se ka kryer vepra të rënda penale dhe po fshihej në Dubai.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar J.M. masën arrest në burg, për veprat vrasja e funksionarëve publike mbetur në tentativë, vrasja, prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak, vjedhja kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, grupi i strukturuar kriminal dhe sigurimi i kushteve/mjeteve për të kryer vrasje.
Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, shtetasi J. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin A. N., prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, A. L. dhe shtetasi A. M.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën A. M. dhe janë plagosur shtetasit A. N. dhe A. L.
Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabin, për ekstradimin e shtetasit J. M. në Shqipëri.